SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk pritet të gjejë mbështetje as në takimet që po zhvillon në SHBA për korrigjim të kufijve me Serbinë. Kundërshtarët më të mëdhenj të kësaj iniciative të presidentëve Thaçi dhe Vuçiq janë disa shtete evropiane, me në krye Gjermaninë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se çështjen e dialogut Kosovë – Serbi do ta shtrojë në takimet që do t’i ketë gjatë kësaj jave me liderët botërorë, duke përfshirë këtu edhe takimin me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Por pavarësisht faktit që Thaçi tashmë ka bërë të ditur se në kuadër të marrëveshjes finale do të ketë edhe korrigjim të kufirit me Serbinë, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se një ide e tillë e kreut të shtetit nuk do të përkrahet nga liderët e shteteve të fuqishme të botës, të cilët po marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në New York të SHBA-së, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”.

Një ide të tillë tashmë nga SHBA-ja e ka kundërshtuar haptazi kryetarja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitaroviq, e cila në takimin që ka pasur me Thaçin dje ka lënë të nënkuptohet se çështja e kufijve është temë e mbyllur.