SHPËRNDAJE

Analisti Arben Ahmeti, duke iu referuar zërave se ndarja mund të jetë një nga zgjidhjet e mundshme në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se ndarje pa shkëmbim territoresh nuk ka.

Ahmeti në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se Kosova e ka pranuar realitetin e gjendjes në veri.

“Ne nuk kemi bërë ndonjë gjë për të integruar veriun. E kemi pranuar realitetin atje pas disa vitesh refuzim të pranimit të situatës atje. Atje ka një autonomi praktike, sepse ata kanë institucionet e veta atje, dhe tashmë është vetëm çështje procedurale se si do ta pranojmë atë autonomi”.

Ahmeti ka thënë se derisa partitë politike e kanë prioritet si me arrit në qeveri ne kemi me pasur edhe më shumë probleme të defunksionalizimit të shtetit.

“Ndarja është një tigër prej letre që neve na kërcënojnë që nga viti 2004. Vazhdimisht ka pasur biseda të fshehta për shkëmbime territoresh, ku Thaçi ka qenë i përfshirë së paku dy herë”.

Sipas analistit, Kosovës po i ofrohen dy opsione dhe njëri prej tyre është edhe shkëmbimi i territoreve.

“Neve po na ofrohen dy opsione: shkëmbim territoresh ose defunksionalizim të shtetit. Për ne është e dhimbshme të kthehemi pas dhjetë vitesh temës së ndarjes, apo logjikës ballkanike, por Serbia ka qëllim kontrollimin e Ballkanit”.

Ahmetini tha se tri komunat veriore janë të parëndësishme për Serbinë pasi ato janë të varfra dhe nuk ndihmojnë në zhvillimin e saj ekonomik.

“Nuk mendoj se qëllimi final i Serbisë është marrja e tri komunave veriore, sepse ato nuk është se do ta mrekullonin ekonomikisht Serbinë apo edhe Kosovën. Janë komuna të varfra pavarësisht se ne e kemi Ujmanin aty, por ato janë të parëndësishme”.

Qëllimi i Serbisë është të jetë shteti më me ndikim në Ballkan, thotë Ahmeti, pasi sipas tij asaj nuk i interesojnë dy-tri katunde më shumë se që ka.

“Serbia duke kontrolluar Republikën Srpska në Bosnje, kishën ortodokse në Maqedoni dhe Mal të Zi, po mundohet që edhe në Kosovë të krijojë një mekanizëm i cili do të jetë në kuadër të shtetit të Kosovës dhe të cilin do e kontrollojë. Në këtë mënyrë ajo do të jetë shteti më me ndikim në rajon. Nuk shoh në politikat gjeostrategjike të Serbisë të merr dy-tri katunde më shumë se që ka”, deklaroi më tej analisti Arben Ahmeti.