SHPËRNDAJE

Aktivistë të Forumit Rinor të Lëvizjes BESA, së bashku me përfaqësues të Forumit të Gruas, sot në qytetin e Kumanovës dhe Komunën e Likovës, kanë shpërndarë maska mbrojtëse falas, si preventivë kundër pandemisë COVID-19. Rekomandimet e fundit nga ana e qeverisë janë që secili qytetarë të mbajë maskë dhe nëpërmjet këtij aksioni simbolik, Lëvizja BESA rikujton edhe njëherë se shëndeti i qytetarëve është në radhë të parë dhe gjithësecili nga ne, duhet të kujdesemi për të ruajtur atë.
Aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në qytetet tjera të vendit, ku së pari herë maska dhe doreza u shpërndanë ne Tetovë ndërsa sot në Kumanovë dhe Komunën e Likovës.

“Duke ndjekur situatën e fundit dhe përhapjen e shpejt të pandemisë Covid-19, ne si Forum i Gruas bashkë me Forumin Rinor të Lëvizjes BESA, morrëm iniciativë sensibilizuese për shpërndarje falas të një sasie simbolike të maskave si mjete mbrojtëse të cilat pas lehtësimit të orës policore janë bërë të detyrueshme për t’i patur çdo qytetar që del në ambient publik. Pas Tetovës, këtë aksion po e realizojmë edhe në Kumanovë, për t’ju kundërvë betejës me virusin COVID-19, sepse vetem duke respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore, mund ta përballojmë në lehtë. Ne, sot, përmes këtij aktiviteti dëshirojmë të dërgojmë një mesazh se duhet të kemi vullnet të plotë dhe të angazhohemi maksimalisht për të ruajtur shëndetin individualisht por edhe të atyre që na rrethojnë. Nesë respektojmë në përpikmëri rekomandimet normalisht që edhe masat restriktive gradualisht do lirohen dhe do ti kthehemi jetës normale, ashtu siç ishte para pandemisë Covid-19”.