SHPËRNDAJE

Kryetari i Lëvizjes  VETEVENDOSJE!, z. Albin Kurti për librin në nderim të “Zonjave që bëjnë Shqiptarinë”.

Përgjatë gjitha etapave historike gratë shqiptare e kanë dhënë kontributin e tyre të madh për shoqërinë e për kombin shqiptar. Gratë shqiptare kanë qenë aktive në luftë kundër pushtuesve të jashtëm, e ju kanë rezistuar atyre; i kanë flakur tutje konceptet e vjetra e patriarkale mbi rolin e tyre gjinor, e janë angazhuar aktivisht për shoqëri progresiste e barazimtare.

Gratë brenda e jashtë kufijve shqiptarë, në rrethana gjithnjë të vështira, me barrë gjithnjë të dyfishtë, me pëunët brenda e jashtë shtëpisë, nuk kanë rreshtur asnjëherë përpjekjet për çlirim kombëtar e emancipim shoqëror. Prej, pozicionit shoqëror gjithnjë padrejtësisht periferik kanë arritur të tregojnë sukses në shumë sfera shoqërore, ekonomike e kulturore gjithandej botës.

Rrugëtimi përparimtar i kombit shqiptar është i lidhur pazgjithshëm me fatin shoqëror të grave. Progresi shoqëror nuk arrihet pa atë gjinor. Angazhimin e grave përgjatë historisë ne duhet ta  kemi referencë sepse arritjet e ardhshme duhet ndërtuar mbi arritjet nga e shkuara. Puna e beteja për barazi e progres janë vazhdë. Krahas angazhimit sistematik që vjen nga poshtë duhet dhe politikë emancipuese që vjen nga lart e që lidhen me arsimimin, punësimin, drejtësinë sociale, pjesëmarrjen në politikë.

Gratë shqiptare dhanë kontribut shumë por edhe shumë u mohua kontributi i tyre në rrjedhën e historisë shqiptare. Puna e dobishme shoqërore që kanë bërë përherë, e po vazhdojnë të bëjnë edhe sot gratë, pak po çmohet e pak po njihet. Veprimtaria e frytshme e shumë grave në të gjitha dimensionet shoqërore duhet të njihet duke e bërë pjesë e ligjërimit tonë të përditshëm, e duhet ta nderojmë duke vazhduar rrugës së tyre e cila është thellësisht përparimtare.

Albin Kurti

Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

4 dhjetor 2019

 Prishtinë