SHPËRNDAJE

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi se ua “vodhi” mysafirët.

Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje i kishte ftuar përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës, në një tryezë për të diskutuar për të drejtat e tyre, por presidenti sipas saj i kishte ndalë ata shkallëve pasi që zyra e tij ndodhej një kat më poshtë sesa ajo e partisë së saj.

“Hashim Thaçi tregoi edhe një herë se çfarë politikani sharlatan është. Nga frika se mos ai del keq para opinionit publik, në tryezën e organizuar sot nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegje e Bujanoc, Hashim Thaçi (qe e ka zyrën një kat më poshtë) i mori nga shkallët e Kuvendit disa përfaqësues të Luginës që po vinin në tryezë, duke shfrytëzuar pozitën e tij të Presidentit, e duke i vendosur përfaqësuesit e Luginës në një pozicion krejtësisht të pafavorshëm”, shkruan ajo në Facebook.

Sipas deputetes Haxhiu, Thaçi i ka shfrytëzuar interesat e kombit shqiptar për pushtet të vetin.

“Hashimi i mbajti këta përfaqësues në mbledhje dhe i nxori në konferencë për shtyp, për të mbuluar faktin se asnjëherë nuk e ka ngritur çështjen e të drejtave të tyre në dialogun me Serbinë”, thotë Haxhiu.

“Sikur LV të mos e kishte organizuar këtë tryezë, Thaçi kurrë nuk do t’i kishte ftuar në takim dhe as nuk do ta mbante këtë konferencë ku edhe një herë ai foli me formula retorike boshe!”, tha ajo.