SHPËRNDAJE

Zëvendës Kryetari i Komunës së Preshevës Armend Aliu ka uruar votimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës në krye me Albin Kurtin për Kryeministër.

Aliu në postimin e tij ka thënë se, ndjej obligim që t’ua kujtoj që pjesë e pandashme e zgjidhjes së problemeve është edhe Lugina e Preshevës.

Në postimin e tij Aliu ka shkruar:

“Populli i Kosovës votoi për ndryshim dhe autorizoi dy forcat e mëdha politike të zyrtarizojnë koalicionin për krijimin e institucioneve të reja në Republikën e Kosovës, gjë e cila u realizua sot.

Është shumë e natyrshme, që edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës t’i gëzohen ditës së sotme.

Është e natyrshme që qeverisë së re të Republikës së Kosovës t’i drejtojmë urime shumë të sinqerta për një punë të mbarë.

Është e natyrshme, por është edhe obligim dhe urgjencë, që të kërkojmë nga qeveria e re, një qasje aktive emergjente ndaj nesh.

Të vetëdijshëm për problemet me të cilat ballafaqohet Republika e Kosovës, ndjej obligim që t’ua kujtoj që pjesë e pandashme e zgjidhjes së atyre problemeve është edhe Lugina e Preshevës.

 

Si pjesë e kombit e cila e dha dhe vazhdon të japë kontribut në çdo proces kombëtar, shqiptarët e Luginës së Preshevës nga qeveria e re presin që të jenë pjesë e një strategjie kombëtare e cila përfundimisht do të sjellë stabilitet në tërë regjionin dhe kushtimisht do të krijojë edhe perspektivë për shqiptarët e kësaj treve. Suksese!” ka shkruar Zv. Kryetari i Komunës së Preshevës Armend Aliu./presheva.com/