SHPËRNDAJE

Gazetari dhe analisti i njohur britanik, Tim Judah, vendimin e së enjtes të kryeministrit Albin Kurti se më 15 mars taksa do të largohet pjesërisht, ndërsa nëse nuk vepron Serbia dhe BE-ja, taksa rikthehet sërish 100 për qind me 15 qershor, e ka quajtur si moment magjepsës.

Judah në një postim në rrjetin social Twitter shkruan se Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar ndonëse nuk e thonë publikisht, mendojnë se i dërguari i SHBA-së, Richard Grenell për dialogun Kosovë-Serbi po krijon probleme duke e inkurajuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, fuqia të cilit ka ra.

“Moment interesant. Kryeministri Albin Kurti ka kundërshtuar skuadrën e Richard Grenellit, ndërsa ekipi i dytë i SHBA-së, Palmers po heshtin. Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar nuk e thonë publikisht por mendojnë se Grenell po krijon probleme duke inkurajuar Hashim Thaçin, fuqia e të cilit ka ra. Çfarë tjetër Kosovë”, shkruan Judah.

Komentet e analistit Judah vijnë pas vendimit të kryeministrit Albin Kurtit lidhur me taksën dhe deklaratës së të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Grenell përmes një shkrimi në Twitter, nuk e ka mbështetur Kurtin, duke thënë se pozicioni i SHBA-së është i qartë, tarifa duhet të largohet tërësisht.

Ndryshe, Kurti të enjten në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se më 15 mars taksa do të largohet pjesërisht, ndërsa nëse nuk vepron Serbia dhe BE-ja, taksa rikthehet sërish 100 për qind me 15 qershor.