SHPËRNDAJE

Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në një takim që kanë patur me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kanë kërkuar miratimin e një rezolute nga Kuvendi i Kosovës, me anë të së cilës do të miratohej kërkesa e tyre për bashkim me Kosovën.

E kreu i shtetit ishte zotuar se do të punojë deri në fund për bashkimin e Luginës me Kosovën, ndonëse sipas tij një gjë e tillë nuk mund të jetë e garantuar se do të ndodhë.

Analisti Imer Mushkolaj në një deklaratë dhënë për lajmi.net ka thënë se nëse Lugina e Preshevës do të bashkohej me Kosovën, nuk do të përfitonte asgjë ekonomikisht. Kjo pasi, në atë pjesë ka mbetur një numër i vogël banorësh. Kurse thekson se nga ana e diskriminimit  do të ndiheshin më të lirë në Kosovë.

“Ekonomikisht nuk besoj se mundet me ndërru diçka për shkak se nga përvoja ime në atë pjesë atje që më ka ra me vizitu dhe me shku, ka mbet një numër shumë i vogël i njerëzve në atë rajon. Edhe nuk besoj që do të sjellë ndonjë gjë në aspektin ekonomik. Kurse në aspektin e diskriminimit pastaj që ju bëhet nga qeveria e Serbisë, natyrisht se do të mund të ndiheshin më të lirë sa i përket edhe shkollimit edhe çështjeve të tjera”, tha Mushkolaj.

Mushkolaj thekson se do të jetë e pamundur që ideja e kreut të vendit të realizohej në këmbim të asgjëje. Tutje analisti thekson se nuk po flitet për tërë Luginën e Preshevës ku përfshihet edhe Medvegja dhe Bujanoci por vetëm për Komunën e Preshevës dhe disa fashtra të vogla.

“Ne prapë po flasim në mënyrë hipotetike për shkak se unë nuk besoj se kjo do të ndodh aq më pak jo me këtë idenë e presidentit Thaçi që po thotë se ne vetëm do ta bashkojmë luginën e Preshevës por nuk do të japim asgjë në këmbim. Është e pamundshme në fakt edhe me idenë e presidentit që të bashkohet e gjithë Lugina e Preshevës. Mos të vihen njerëzit në lajthitje, bëhet fjalë vetëm për një pjesë të komunës së Preshevës, bëhet fjalë vetëm për disa fshatra të kësaj komune. E gjithë kjo për mua është një lajthitje e qëllimshme edhe njëfar lloj mashtrimi që po ju bëhet njerëzve, pra nuk bëhet fjalë për bashkimin e gjithë Luginës së Preshevës që nënkupton edhe Medvegjen dhe Bujanocin si komuna me fshatrat përkatëse por vetëm për një pjesë të vogël të Preshevës”, përfundon Mushkolaj.

Kujtojmë se përpos opozitës që po i kundërshton në vazhdimësi idetë e Thaçit rreth dialogut, edhe përfaqësues të Nismës Socialdemokrate nuk po e mbështesin paralajmërimin e presidentit për korrigjim të kufirit./Lajmi.net/