SHPËRNDAJE

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha sot se rreziqet bashkëkohore të sigurisë nuk mund të zgjidhen nga një shtet i vetëm, por për të arritur rezultate nevojitet forcimi i bashkëpunimit rajonal.

Gjatë konferencës dy ditore të prokurorëve në Budva të Malit të Zi, ai deklaroi se krimet i tejkalojnë kufijtë kombëtar dhe paraqesin rrezik serioz për shtetet.

“Ne sot, jemi vende që pretendojmë të integrohemi në BE dhe patjetër jemi të detyruar në kuptim të plotë të fjalës t’i aplikojmë standardet me të larta evropiane, me qëllim të ruajtjes së vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit dhe respektimit të drejtave të njeriut”, theksoi Lumezi.

Kryeprokurori Lumezi u shpreh se Kosova është e vendosur të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit për të luftuar kundër krimit të organizuar, terrorizmit, pastrimit të parave dhe krimeve trans-nacionale dhe është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha shtetet e rajonit, por edhe me organizatat ndërkombëtare si Interpoli, etj.

“Me pranimin e Kosovës në këto organizata do të jetë me efikase lufta kundër krimit trans-nacional brenda rajonit”, pohoi mes tjerash kreu i Prokurorisë së shtetit të Kosovës.

Ndryshe, konferenca është organizuar nga Prokuroria e Malit të Zi, ndërsa aty kryeprokurori Lumezi po merr pjesë me ftesë të Kryeprokurorit Suprem të Malit të Zi, Ivica Stankoviq.