SHPËRNDAJE

Trupi i ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, qëndron nën pemën e një bliri në shtëpinë e familjes së tij në Pozharevc të Serbisë, por jo edhe truri i tij i cili sipas të gjitha gjasave ka mbetur në Hagë, shkruan BBC në gjuhën serbe.

Shumë persona që në kohën e vdekjes së Millosheviqit që kanë punuar në Tribunalin ndërkombëtar të Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, kanë konfirmuar për BBC në gjuhën serbe rrëfimin që qarkullonte dhe përflitej nëpër korridoret e Tribunalit: që trupi i është dorëzuar familjarëve të tij, por jo edhe truri që ka mbetur në institutin e forenzikës holandeze në Hagë, transmeton Telegrafi.

Trupi i Millosheviqit në kuadër të hetimeve të udhëhequr nga autoritet holandeze dhe ato të Tribunalit, i është nënshtruar autopsisë. Më pas trupi është mbyllur në arkivol dhe i është dorëzuar birit të tij Markut, i cili kishte udhëtuar nga Moska për ta marrë.

Megjithatë për të kryer analiza më të thella toksikologjike të trurit që patologët holandezë dëshironin t’i kryenin, atyre u është dashur më shumë kohë, dhe për këtë arsye truri thuhet se ka mbetur në institut.

“Më kujtohet që në mars të vitit 2006 trupi i Millosheviqit është kthyer në Serbi, por pa trurin”, ka deklaruar për BBC, Christian Chartier, i cili asokohe ishte zëdhënës i Tribunalit.

“Nuk e di çfarë ka ndodhur më pas – nëse truri i është kthyer familjes i plotë apo më copëza, apo ka mbetur në institut, apo është shkatërruar”, ka shtuar ai.

Edhe Floranse Artman, që në vitin 2006 ishte zëdhënësja e kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, ka pohuar diçka të ngjashme.

“Për shkak të rregullave strikte holandeze të privatësisë nuk kemi mundur ta kontrollojmë nëse në Hagë ka mbetur vetëm truri, apo disa copëza. Një informacion të tillë mund ta kenë holandezët apo edhe organet shtetërore serbe, por edhe anëtarët e familjes”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq në pyetjen e gazetarit të BBC në gjuhën serbe, Nikki Jenssen, zëdhënësja e institutit holandez të forenzikës është përgjigjur: “Për fat të keq, nuk na lejohet të japim informacione për raste të veçanta, përveç me kërkesë të personave të autorizuar juridik”.

“Megjithatë, në përgjithësi, instituti ka të drejtë të mbajë disa pjesë për hetime të mëtutjeshme, për shembull, për analiza toksikologjike”, ka shtuar Jennsen.