SHPËRNDAJE

Ende nuk dihet se kur do të rifillojë dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë. Rifillimi i këtij dialogu pritet të shqyrtohet kur palët të shprehin gatishmërinë të rinisin diskutimet thelbësore që kanë të bëjnë me dy vendet.

Kjo gjë është bërë e ditur nga zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijanciq.

Ajo ka deklaruar se Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini do të shqyrtojë çështjen e dialogut, kur palët të jenë gati të rifillojnë diskutimet.

Në një përgjigje për Indeksonline, Kocijanciq ka ripërsëritur porosinë e Mogherinit e cila tha se si Prishtina ashtu edhe Beogradi duhet të kthehen në tryezën e dialogut dhe të ecin përpara për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjore që do të mundësonte normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

“Kjo do të ishte gjithashtu mënyra më e mirë për të garantuar që i gjithë rajoni të përfitojë nga pajtimi, që do të thotë nga integrimi rajonal dhe zhvillimi ekonomik në rajon”, tha ajo.

E pyetur nëse taksa vazhdon të jetë kusht për rifillimin e dialogut, Kocijanciq tha se BE bashkë me të gjitha shtetet anëtare por dhe ShBA-të i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë menjëherë taksën në mënyrë që të lejojë rifillimin sa më të shpejtë të dialogut.

“Nuk ka alternativë tjetër për rifillimin e shpejtë të dialogut ndërmjet dy palëve. Tarifa jo vetëm që qëndron në rrugën e dialogut, por qëndron edhe në rrugën evropiane të Kosovës. Serbia duhet të bëjë pjesën e saj, duke përfshirë këtu edhe marrëdhëniet e saja ndërkombëtare, në mënyrë që të nxisë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e dialogut”, ka shtuar Kocijanciq për Indeksonline.

Sipas zëdhënëses së Bashkimit Evropian, përfundim i procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes dy vendeve është urgjent, sepse sipas saj situata e tanishme jo vetëm që nxit paqëndrueshmërinë, por gjithashtu do të thotë mundësi humbjeje.

“Do të thotë humbje e investimeve të huaja dhe se status-quo’ja nuk është e qëndrueshme. Rritja ekonomike varet nga besimi i investitorëve, besimi në të ardhmen, besimi në marrëdhëniet e mira fqinjësore, besimi tek autoritetet publike duke u fokusuar në klimën e biznesit”, tha ajo.

Kocijanciq gjithashtu ritheksoi se në korrik të vitit 2018, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, duke përfshirë dy kërkesat e mëhershme: 1)Ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi dhe 2) Përforcimi i shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Tani mbetet që Parlamenti Evropian dhe Këshilli të miratojnë propozimin e Komisionit për dhënien e mundësisë të udhëtimit pa viza për qytetarë e Kosovës”, përfundoi zëdhënësja e BE-së, Kocijanciq.