SHPËRNDAJE

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka njoftuar se e arrestuara Ikballe Berisha-Huduti, asnjëherë nuk ka qenë punëtore e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).

Policia e Kosovës sot e ka arrestuar Igballe Berisha-Hudutin, pas deklarimeve dhe përhapjes së propagandës në përkrahje të gjeneralit iranian Qassem Soleimani, i vrarë nga forcat amerikane. Ajo dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste”.

Në një komunikatë të lëshuar për media, Kryesia e BIK-ut thotë se deklaratat, qëndrimet, opinionet dhe predikimet e Hudutit nuk kanë asgjë të përbashkët me Bashkësinë Islame të Kosovës.

Komunikata e plotë e BIK-ut:

“Kryesia e Bashkësisë  Islame të  Kosovës njofton opinionin e gjerë  se znj. Igballe Berisha- Huduti,  asnjëherë nuk ka qenë punëtore e Bashkësisë  Islame të  Kosovës dhe  rrjedhimisht deklaratat, qëndrimet, opinionet dhe predikimet e saj nuk kanë asgjë të përbashkët me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe as me interpretimin dhe mësimet tradicionalet të fesë islame të aplikuara ndër ne me shekuj. Për më tepër, siç dihet tashmë, personi në fjalë ka predikuar doktrinën shiite  e panjohur ndër ne më parë”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.

Policia e Kosovës ka arrestuar sot gjatë ditës Ikballe Berisha – Huduti, e cila doli me një deklaratë publike kundër vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimanit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se arrestimin e Berisha-Hudutit e ka bërë Drejtoria Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës.

Arrestimi i Ikballe Berisha-Huduti, përveç se në mediat në Kosovë dhe rajon, është bërë lajm edhe në mediat prestigjioze botërore.