SHPËRNDAJE

Në rrjetin social të komunës së Bujanocit sot është publikuar lajmi mbi nënshkrimin e kontratës për rregullimin e rrugës Muhoc – Breznicë, rrugë kjo të cilën banorët e Malësisë së Bujanocit shumë kohë më parë e kanë vlerësuar si tejet të nevojshme për qarkullim dhe lidhje me qendrën, por që deri më sot akoma mbetet vështirë e qarkullueshme për automjetet.

Në postimin e Komunës së Bujanocit thuhet se, “Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, nënshkroi kontratën për rregullimin e rrugës Muhoc – Breznicë në mënyrë që banorëve të kësaj pjese t’i sigurohet qarkullim i lirë e pa pengesa. Banorët e Malësisë, pas ndalesës së përdorimit të kufinit me Kosovën po përballen me vështirësi të shumta.

Prandaj, rregullimi i rrugës do të mundësojë edhe qarkullimin e automjeteve që do të përkujdesen për paisjen me barna, mjekë nga Bujanoci dhe nevojat e tjera përgjatë kësaj gjendje” thuhet në postim.

Nga ana tjetër Kryetari i Bashkësis lokale të fshatit Muhoc Xhevat Hasani, ka postuar një shkrim në të cilin falënderon një kompani private nga Tërrnoci dhe BL.

Muhoc si dhe një subjekt politik të cilët sipas Hasanit me vetfinancim kanë sanuar rrugën Bilinicë – Ush – Rekë e Vërtogoshtit dhe kështu i kanë hapur banorëve të Malësisë një arterie që lidhet me qytetin në këtë situatë tepër të vështirë.

Hasani ka shkruar se, “Në shenjë respekti faleminderojmë kompaninë ,,Sela Commerc” nga fshati Tërrnoc dhe strukturat e Partis Demokratike në bashkëpunim me Bl.Muhoc, që sot morën një aksion për meremetimin e rrugës Bilinicë – Ush – Rekë e Vërtogoshtit, për zhbllokimin e Malësisë së Bujanocit e cila u gjendë në një situatë shumë të vështirë, dhe të izoluar nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme” ka shkruar kryetari i BL të Muhocit.

Sipas Hasanit, tani qytetarët munden të lëvizin lirshëm edhe me automjete të udhëtarëve me një kujdes të shtuar, dhe të marin frym më lehtë, dhe t’i kryejnë obligimet e tyre për furnizime me gjëra ushqimore, higjenike, farmaceutike, etj, Ju jemi mirënjohës, edhe në këto ditë të vështira solidariteti nuk mungon! ka shkruar Hasani.

Përveq nënshkrimit të kontratës me punëkryesin Kamberi nuk ka dhënë asnjë detaj lidhur me shumën e mjeteve financiare, përveq detajit se bëhet fjalë për rregullimin e rrugës Muhoc – Breznicë./presheva.com/