SHPËRNDAJE

Kryetari i komunës së Bujanocit Shaip Kamberi, ka uruar nxënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollorë 2019/2020, por në urimin e të parit të komunës edhe pse vetëm 4 fjali, askund nuk është përmendur mungesa e teksteve shkollore problem me të cilin po përballen nxënësit shqiptarë në Luginë të Preshevës, gjegjësisht në komunën e Bujanocit.

Kamberi në urim ndër të tjerash ka shkruar se, “sot, ju që për herë të parë po uleni në bankat shkollore, po nisni rrugëtimin tuaj të jetës. E nga rrugëtimi juaj i sotshëm do të varet drejtimi i jonë si shoqëri nesër”, por si do të ndodhë kjo nëse në rrugëtimin e tyre ata nuk kanë gjënë elementare, tekstet në gjuhën amtare?

Kamberi në urimin e tij ka shkruar:

Të dashur nxënës, Fillimi i vitit të ri shkollor le të jetë për secilin prej juve fillim i suksesit, avancimit dhe nxënies së dijës.

Libri le të jetë miku juaj më i mirë ndërsa mësuesi dhe mësuesja le të shihen si udhërrëfyes tuaj.

Sot, ju që për herë të parë po uleni në bankat shkollore, po nisni rrugëtimin tuaj të jetës. E nga rrugëtimi juaj i sotshëm do të varet drejtimi i jonë si shoqëri nesër.

Prandaj, duke ju uruar fillim të mbarë, uroj që rruga e juaj e drejtë të bëhet motivim për të gjithë ne. Urime fillimi i vitit të ri shkollor”, thuhet në urimin e Kamberit.

Nga ana tjetër në rrjetin social të KKSH-së, sot është postuar një shkrim përmes së cilit urohen nxënësit për fillimin e vitit shkollorë, shkrim ky që është në emer të kryetares së Komisionit për Arsim pranë KKSH dhe jo të kryetarit të KKSH-së.

Edhe pse jo nga dita e parë, KNSH edhe nëpërmjet këtij postimi vazhdon me premtimin se një dit do të vijnë tekstet shkollore në gjuhën shqipe.

Në postim ndër të tjerash thuhet ”Të nderuar. Pas një pune dhe angazhimi të palodhur, Këshilli Kombëtar Shqiptar pritet që së shpejti t’i sigurojë tekstet për shkollat fillore nga Republika e Shqipërisë, në bashkërendim me Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe të Serbisë dhe me bashkëpunimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Kjo hap një dritare shprese të një arsim më cilësorë për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Dhe shpresojmë që saga e problematikës së sigurimit të teksteve shkollore në gjuhën shqipe të zgjidhet njëherë e mire”, thuhet në postimin e KKSH-së i cili kësaj radhe për dallim nga heart e tjera, është lëshuar nga kryetarja e Komisionit për Arsim, pranë KKSH-së/presheva.com/