SHPËRNDAJE

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj vizitoi edhe Medvegjën në kuadër të vizitës në tre komunat shqiptare në jug të Serbisë.

Cakaj përmes një postimi në rrjetet sociale ka informuar mbi vizitën në Medvegjë, ku ai tha se është fokusuar në problemin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në këtë komunë dhe se këtë e ka quajtur si problem të rëndë.

“Në Medvegjë u takuam me këshilltarët komunalë shqiptarë dhe drejtuesin e Grupit Qytetar “Të gjithë për Medvegjën”, z. Muharrem Salihu.
Folëm për nevojat e shqiptarëve në Medvegjë, rëndësinë e punës së përbashkët në ngritjen e problemit të rëndë të pasivizimit të adresave dhe domosdoshmërinë e përpilimit të një strategjie afatgjatë në shërbim të ruajtjes së faktorit shqiptar atje”, theksoi Cakaj.
Ai gjatë vizitës ka qëndruar edhe në disa shkolla, ndërmarrje dhe qendra të tjera në Medvegjë, duke thënë se ato janë “me rëndësi të posaçme për zhvillimin e jetës së bashkëkombasve tanë!”

Ministri Cakaj vizitoi edhe muzeun dhe amfiteatrin kulturor në Tupallë, që është ngritur nga biznesmeni Muharrem Salihu. Shefi i diplomacisë shqiptare, Gent Cakaj për tre ditë qëndroi në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ku u njoftua me gjendjen e shqiptarëve në këto tre komuna si dhe u angazhua për përkrahjen e listës së përbashkët të faktorit shqiptar për zgjedhjet parlamentare në Serbi.