SHPËRNDAJE

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka pritur në takim sot Ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Péter Szijjártó.

Cakaj përmes një postimi në facebook ka thënë se Shqipëria dhe Hungaria janë duke zhvilluar në mënyrë intensive kuadrin sektorial dhe diplomatik të bashkëpunimit dypalësh.

Ja postimi I tij i plotë:

Kënaqësi të prisja sot në Tiranë Ministrin e Jashtëm të Hungarisë, z. Péter Szijjártó

Shqipëria dhe Hungaria janë duke zhvilluar në mënyrë intensive kuadrin sektorial dhe diplomatik të bashkëpunimit dypalësh. Marrëdhënia me Hungarinë merr një domethënie të veçantë strategjike si partner në NATO dhe në dritën e ambicies të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Hungaria ka dhënë mbështetje të vyer teknike për strukturat e integrimit pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe mbështetje të fuqishme politike për hapjen e negociatave me BE-në që në qershor 2018. Kjo mbështetje teknike do të rritet paralelisht me avancimin e Shqipërisë në shkallët e integrimit evropian!

Vendimi i Këshillit për shtyrje të vendimit për çeljen e negociatave deri në tetor të këtij viti nuk lidhet aspak me ndonjë paragjykim të të arriturave të padiskutueshme të Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe, por ekskluzivisht me procedurat e brendshme të vendeve anëtare dhe të Këshillit në përgjithësi. Mbështetja e Hungarisë është konfirmuar edhe njëherë që tani për një vendim pozitiv në tetor për Shqipërinë në raport me BE-në.

Sidoqoftë, deri në tetor, Shqipëria duhet të thellojë rezultatet e reformave në pesë prioritet kyçe dhe të demonstrojë qëndrueshmërinë e saj institucionale e demokratike në përgjithësi.

Kjo nënkupton se Shqipëria duhet detyrimisht ta kaloj me sukses testin kombëtar të zgjedhjeve vendore më 30 qershor. Në asnjë rrethanë, Shqipëria nuk duhet të lejoj që polarizimi i brendshëm të manifestohet si pengesë për çeljen e negociatave në tetor dhe për projektin evropian në përgjithësi. Ndaj, sjellja e përgjegjshme me 30 qershor nuk është vetëm obligim qytetar i gjithsecilit, por edhe obligim kombëtar i të gjithëve.

Shqipëria ka filluar përpjekjet e saj politike dhe diplomatike për të mundësuar hapjen e negociatave në tetor që nga dita e parë pas konkluzioneve të Këshillit.

Mbështetja e Hungarisë në këtë ndërmarrje është tepër domethënëse. Bashkëpunimit dypalësh midis Shqipërisë dhe Hungarisë do të rritet në të gjitha fushat e interesit reciprok.