SHPËRNDAJE

Ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku ka reaguar lidhur me aksionin që është ndërmarrë në Serbi ku në kartëmonedha të shumta po shkruhet “Kosova është Serbi”.

Çitaku ka theksuar se lidhur me veprimin në fjalë të cilin e bëri edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i njëjti do të mund të dënohej në ShBA.

Në kartëmonedhën 100-dollarëshe, Daçiq shkroi “Kosova është Serbi”, e lidhur me këtë shumë shqiptarë i reaguan atij teksa ambasadorja Çitaku i ka kujtuar diçka tjetër diplomatit serb. Ajo bëri të ditur se Daçiq mund edhe të burgoset për një veprim të tillë mbi 100 dollarëshin.

“Do ta lë këtë këtu: Kushdo që i dëmton, i shpon, bashkon ose i ndanë, ose bën diçka tjetër në kartëmonedha, drafte, shkresa ose mjete të tjera bankare, të ndonjë shoqërie nacionale bankare, Bankës Federale të Rezervave ose Sistemit Federal të Rezervave, me qëllim që ato t’i bëjë të papërdorshme, duhet të dënohet nën këtë ligj ose mund të burgoset për jo më shumë gjashtë muaj, ose mund të marrë të dyja ndëshkimet”, ka shkruar ambasadorja Çitaku.

Ky veprim i serbëve është shpërndarë në rrjetet sociale e një Instagram është hapur edhe një profil i veçantë për të publikuar fotografi dhe video duke shfaqur veprimin e njëjtë.