SHPËRNDAJE

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se nuk ka kuptim që të flitet për bashkëpunimin rajonal, pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shprehu mbështetje për taksën 100% që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Rama i dha mbështetje tarifës gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, që u mbajt të hënën në Pejë.

“Rama i vrau marrëveshjet rajonale për bashkëpunim, për hapësirën e përbashkët ekonomike. Është e pakuptimtë që të mbahen çfarëdo takimesh për bashkëpunimin rajonal, pas asaj që tha Rama”, tha Daçiq për gazetarët në Beograd, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Javën e kaluar, Kosova ka rritur nga 10% në 100% taksën mbi të gjitha mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Vendimi ka nxitur reagime të ashpra të serbëve në Kosovë dhe të autoriteteve në Beograd dhe Sarajevë, si dhe thirrje nga Bashkimi Evropian për ta hequr këtë detyrim doganor./ReL