SHPËRNDAJE

Kohët në të cilat Millosheviqi mbajti fjalim në Gazimestan dhe atë të cilin Vuçiq e mbajti tani në Kosovë, nuk mund të krahasohen.

Kështu është shprehur ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq duke shtuar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka një koncept tjetër dhe fillon nga një situatë krejtësisht tjetër.

Sipas tij, deklarata e Sllobodan Millosheviqit ka qenë në vitin 1989 kur ka ekzistuar Jugosllavia, ndërsa tani situata ka ndryshuar, transmeton lajmi.net.

“Në kohën e Millosheviqit në Kosovë ka qenë prezente ushtria jonë dhe policia, sot jemi në një pozicion të tillë sa që nuk mund të themi se serbët në Shtërpcë janë duke pritur për një betejë”.

Daçiq ka shtuar se tani po udhëheqin një politikë paqeje dhe po përpiqen të arrijnë diçka përmes negociatave dhe paqes.

Sa i përket informacioneve se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të vizitojë komunat shqiptare në Serbinë jugore, Daçiq ka thënë se nuk ka ende diçka zyrtare.

“Mediat e Kosovës kanë përcjellë informacion jozyrtarë kinse Hashim Thaçi së bashku me Komisionerin Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn të mërkurën do të vizitojë tri komunat në jug të Serbisë të banuara me shqiptarë. Ne nuk kemi diçka zyrtare”.