SHPËRNDAJE

Ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca, përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se dje ka marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit, konkretisht në panelin e parë “Shteti ligjor, migrimi, siguria / rreziqet hibride”, i cili është mbajtur në Shkup.

Madje ministri Konjufca ka thënë se ka pasur një debat të ashpër me homologun e tij serb.

“Në Sesionin plenar, i cili u zhvillua pasdite, fjalën e hapjes e ka mbajtur kryeministri i Maqedonisë së Veriut z. Oliver Spasovski.

Gjatë debatit kam përshëndetur organizatorin dhe kam deklaruar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, gjë që është konstatuar edhe nga Komisioni Evropian në vitin 2018. Madje kam shtuar më tej se Kosova nuk është kundër dialogut me Serbinë, por ai duhet të rezultojë me normalizimin dhe njohjen e ndërsjellë midis dy vendeve.

Gjatë debatit kam pasur një shkëmbim të ashpër pikëpamjesh me ministrin serb Daçiq.
Ministri serb ka shfaqur pakënaqësinë, që në komunikatën e përbashkët nuk është vendosur fusnota për Kosovën, është ankuar se Qeveria e re e Kosovës nuk po i respekton marrëveshjet e nënshkruara nga ai dhe zoti Thaçi në Bruksel dhe e ka ftuar Qeverinë e Kosovës ta heqë taksën 100%.
Unë i kam thënë se fusnota nuk është vendosur në asnjë takim të Procesit të Berlinit. Pastaj, i kam informuar të pranishmit se Qeveria e Serbisë dhe Ivica Daçiq e kanë keqpërdorur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, duke e paraqitur atë në mënyrë të pasaktë jo si dialog për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, por si dialog për statusin e Kosovës.

Madje ju kam drejtuar z. Daçiq me këto fjalë: “Ju po mundoheni të mohoni egzistencën tonë. Prej nga kjo energji kaq negative z. Daçiq. Kjo nuk është gjuhë integruese evropiane. Ju duhet të hiqni dorë nga ky angazhim kundër Kosovës!”, ka shkruar Konjufca, përcjell Indeksonline.

Ndryshe, në këtë debat ka marrë pjesë edhe ministri në detyrë i Republikës së Shqipërisë Gent Cakaj, i cili e ka akuzuar Qeverinë e Serbisë për përdorimin e formave të palejueshme në fushatën e saj kundër Kosovës.