SHPËRNDAJE

Deklaratat kundërthënëse ndërmjet zyrtarëve të Bashkimit Evropian kanë ngritur shqetësime për rikthimin e idesë së korrigjimit të kufijve në Ballkan.

Derisa shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, ka thënë se opsioni i shkëmbimit të territoreve është çështje për të cilën duhet të vendosin palët negociuese, vartësi i tij Mirosllav Lajçak, i cili është caktuar emisar special për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, e ka përjashtuar mundësinë që shkëmbimi i territoreve të jetë në agjendën e tij, raporton KOHA.

Analisti i Këshillit për Politikë dhe Demokratizim në Berlin e Bruksel, Bodo Weber, thotë se duhet vlerësuar sqarimi i Lajçakut.

“Deklaratat e Borrellit duhet lexuar nën dritën e politikës tradicionale të Spanjës, përkatësisht qasjes së saj në raport me integrimin. Edhe nëse politika e të gjitha shteteve anëtare të BE-së në raport me Ballkanin është kundër shkëmbimit të territoreve dhe vetëm një vend e mbështet atë – siç është rasti me Hungarinë e Orbanit – Borrelli nuk do ta shprehë një pozicion të qartë politik. Problemi me këtë qasje është se Borrelli me mbështetjen e shkëmbimit të territoreve po përfundon duke i ndjekur gjurmët e Mogherinit”, ka thënë Weberi për KOHËN.

Edhe Shtetet e Bashkuara, që janë përfshirë aktivisht në dialog, e kanë lënë në dorën e Kosovës dhe të Serbisë që të arrijnë zgjidhjen që duan. Me ndërmjetësimin e emisarit të presidentit Trump, ambasadorit Richard Grenell, deri tani janë nënshkruar edhe disa marrëveshje për linja hekurudhore dhe ajrore.

Por zyrtarisht BE-ja vazhdon të mbetet e mandatuara e vetme nga OKB-ja për ta udhëhequr dialogun. Weberi thotë se prej vitit 2005, kur ShBA-ja e dorëzoi Ballkanin Perëndimor – Bashkimi Evropian nuk arriti ta përmbushë rolin udhëheqës.

Edhe pse organizata që përfaqëson Weberi shpesh ka avokuar për rikthimin e Amerikës në Ballkan, ai vlerëson se administrata aktuale e ka braktisur rolin kryesor tradicional, sipas të cilit pavarësia e Kosovës ishte një kapitull i rëndësishëm.

“Mënyra se si emisari Richard Grenell ia mori Bashkimit Evropian udhëheqjen e dialogut, me mbështetjen e presidentëve Thaçi dhe Vuçiq – është tërësisht kopje e qasjes së mëparshme të Mogherinit dhe ish-ekipit të saj. Kjo çoi në diskreditimin e BE-së në Kosovë në dy vjetët e fundit”, ka thënë Weberi.

Për ta përmbushur këtë rol, sipas analistit gjerman, duhen një rivendosje e plotë e negociatave dhe një udhëheqje serioze politike brenda Brukselit, duke filluar nga Gjermania dhe Franca.