SHPËRNDAJE

Një përleshje ka shpërthyer të mërkurën në parlamentin turk gjatë një fjalimi nga një ligjvënës i opozitës i cili më parë akuzoi presidentin Recep Tayip Erdogan për siç ka thënë “mosrespektim të ushtarëve turq që vdiqën në Siri”.

Sipas mediave të huaja, dhjetëra parlamentarë u bashkuan me përleshjen, duke mos munguar as përdorimi i grushteve, ndërsa të tjerët u përpoqën të ndalnin përleshjen.

Siç bëhet e ditur, ka qenë Engin Ozkoc, një ligjvënës nga Partia Popullore Republikane e opozitës (CHP), ai që kishte akuzuar presidentin në një konferencë shtypi dhe më vonë në një postim në Twitter, për “mosrespektim të ushtarëve që u vranë javën e kaluar në rajonin e Sirisë, Idlib”.

Ozkoc thuhet se akuzoi gjithashtu Erdoganin për “papërgjegjësi për dërgimin e trupave në një konflikt pa mbulimin nga ajri”.

Kryetari i parlamentit, Mustafa Sentop, dënoi deklaratën e ligjvënësit të opozitës ndërsa prokurorët e Ankarasë filluan një hetim “mbi një fyerje të dyshuar të presidentit”.