SHPËRNDAJE

Një automjet Peugeot ngjyrë e zezë dhe me targa KM është djegur mbrëmë pas mesnatës në Leposaviq, ndërsa përveç dëmeve materiale, nuk ka të lënduar në njerëz.

Burime të KosovaPressit bëjnë të ditur se automjeti është pronë e deputetit Sllavko Simiq.

“Mbrëmë pas mesnatës, saktësisht rreth orës 1:30, para ndërtesës ku jeton Sllavko Simiq në Leposaviq, është hedhur eksploziv në automjetin e deputetit Simiq me ç’rast automjeti është djegur i tërë”, kanë thënë burimet e KosovaPress.

Djegien e automjetit e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut Branisllav Tadoviq, por nuk ka dhënë detaje shtesë.

KosovaPress ka provuar të kontaktojë edhe me deputetin Simiq, por pa sukses.

Ndryshe, Simiq përveç postit të deputetit në Parlamentin e Kosovës, është edhe nënkryetar i Listës Serbe, si dhe kryetar i qarkut të Mitrovicës, i zgjedhur nga strukturat ilegale në atë pjesë.