SHPËRNDAJE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i dha Huaweit një “mundësi” shpëtimi pasi tha se kompanitë amerikane do të lejohen përsëri të bëjnë biznes me gjigantin kinez pas një muaji paqartësi.

Muajin e kaluar Administrata Trump e vendosi Huawein dhe 70 njësi të kompanisë në listën e zezë duke ja ndaluar kompanive amerikane të bëjnë biznes me ta.

Në anën tjetër, ndikimi ishte i madh për kompaninë kineze ku një numër i kompanive nga SHBA, si Google që i shet Huaweit sistemin operativ Android u detyruan të ngrijnë marrëveshjet me kompaninë.

Vetë shefi ekzekutiv i Huaweit, Ren Zhengfei, tha se sanksionet amerikane do t’i kushtonin prodhuesit të tretë më të madh në botë të telefonave të mençur me 30 miliardë dollarë të ardhura më pak në dy vitet e ardhshme.

Megjithatë, Administrata Trump duket se e ka “falur” Huawein të paktën bazuar në komentet e bëra prej tij pas takimit të tij që pati me presidentin kinez Xi Jinping në samitin e G20-së që është mbajtur në Osaka të Japonisë.

“Kompanitë amerikane mund t’i shesin produktet e tyre Huawei. Po flasim për produkte dhe pajisje që nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare”, tha Trump.

Në tre mujorin e kaluar, Huawei shiti 59 milionë telefona dhe gjatë 2018-së gjeneroi të ardhura prej 107.4 miliardë dollarësh.