SHPËRNDAJE

Anëtari i Shtabit të Krizës në Serbi, Dr. Branimir Nestoroviç vlerësoi sot se rreth 40 persona të tjerë mund të vdesin në Serbi nga koronavirusi.

“Gjithçka do të shkojë deri në fund të majit, nuk besoj se do të hyjmë në qershor me disa surpriza në lidhje me shfaqjen e virusit”, tha Nestoroviç për “Focus” në TV B92.

Ai nënvizoi se ishte më i lirë në qasjen dhe qëndrimin e tij për të shfuqizuar shtetrrethimin, dhe tha se ai mendonte se nuk do të kishte valë të dytë të epidemisë.

Sipas tij, është e dukshme që virusi po dobësohet, se epidemia është në fund të saj dhe se njeriu duhet të mësojë të jetojë me virusin.

Nestoroviç tha se ditët e fundit askush nuk guxoi të thoshte se ishte koha për të hapur dhe se masat ishin zgjeruar më shumë për shkak të aspektit psikologjik.

Gjatë 24 orëve të fundit në Serbi kanë vdekur 6 persona ndërsa 196 persona rezultuan pozitiv ndaj COVID-19 duke e rritur numrin e të infektuarve në 9.205, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga dje janë testuar 5.906 persona ndërsa 196 persona rezultuan pozitiv ndaj koronavirusit. Në spital janë të shtrirë 2.375 pacientë ndërsa në respiratorë janë 65 pacientë.

Gjatë 24 orëve të fundit kanë humbën jetën 6 persona, me çka si pasojë e koronavirusit deri më tani kanë vdekur 185 persona. Nga fillimi i pandemisë janë shëruar 1.379 persona.