SHPËRNDAJE

Dwayne Johnson, i njohur si ‘The Rock’, shumë shpejt është bërë një prej personaliteteve më të njohur në Hollywood, ndërsa së fundmi ka folur haptas në lidhje me depresionin.

Gjatë pjesëmarrjes në emisionin Lorraine në ITV, ai ka folur në lidhje me vështirësitë gjatë përballjes me problemet mendore.

“Depresioni nuk bën diskriminime. Pavarësisht se kush jeni, çfarë bëni apo nga vini, ai nuk ju diskriminon. Të gjithë ne në një lloj forme kalojmë nëpër depresion. Nëse mund ta ndaj tregimin tim dhe t’i ndihmoj dikujt, më vjen mirë që po e bëj këtë”, ka thënë ‘The Rock’.

Ai ka shtuar se edhe meshkujt duhet të jenë më të hapur kur është fjala për problemet mendore, kur janë të frikësuar, të lëndueshëm dhe në situata të ngjashme.

Historia e problemeve të depresionit të Johnson kishin nisur me përpjekjen e nënës së tij për të bërë vetëvrasje, kur ai ishte 15 vjeçar.

“Dhimbja dhe lufta janë reale. Të gjithë kalojmë nëpër depresion, të gjithë në mënyrën tonë. Më është dashur shumë kohë që ta kuptoj këtë, por e rëndësishmja është se nuk kam frikë që të flas haptas. Ne meshkujt kemi tendencë që ta mbajmë depresionin në vete. Nuk jeni vetëm”, ka theksuar aktori.