SHPËRNDAJE

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se Komiteti Ekzekutiv i Interpolit me seli në Lyon të Francës, ka debatuar sot rreth aplikacionit të Republikës së Kosovës, me ç’rast edhe është vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit.

Pacolli, ka theksuar se në debatin e mbajtur në Lyon të Francës, Policia e Kosovës është vlerësuar lartë.

Ministri Pacolli, ka kërkuar që kësaj radhe Serbia të mos e pengojë Kosovën që të anëtarësohet në INTERPOL.

Shkrimi i plotë:

“Gjatë ditës së sotme, Komiteti Ekzekutiv i Interpolit me seli në Lyon (Francë) debatoi rreth aplikacionit të Republikës së Kosovës dhe vendosi në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit, e cila këtë vit do të mbahet në Kili.

Policia e Kosovës, u cilësua në nivelin më të lartë të profesionalizmit dhe kredibilitetit, si organizatë policore moderne dhe me standarde të avancuara.

Përbërja e Komitetit Ekzekutiv për vitin 2019 nga gjithsej 10 shtete pjesëmarrëse, në debatin e sotëm, ishin vetëm tri shtete të cilat e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë dhe pothuajse të gjithë pjesëmarrësit argumentuan në favor të aplikacionit të Policisë së Kosovës për të proceduar më tutje në Asamblenë e Përgjithshme.

Prandaj, urojmë që edhe Serbia të i thërret zërit të arsyes dhe të mos veproj me obstruksionet e saj kundër paqes dhe sigurisë.

Do të ishte primitive dhe jashtë çdo logjike, pengimi dhe lobimi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës në organizatën ndërkombëtare të Interpolit, dhe në anën tjetër të flasësh për paqe dhe siguri”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Theksojmë se, shteti i Kosovës ka nisur tentativat për anëtarësim në INTERPOL që nga viti 2010. Në vitin e kaluar më 20 nëntor, Kosova nuk kishte arritur të bëhet anëtar i INTERPOL-it, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.