SHPËRNDAJE

RAINCA-VENDBANIM I VJETËR DARDAN SHQIPTAR I RAJONIT TË PRESHEVËS V

1.Ekonomia e fshatit Raincë

Fshati Raincë i Preshevës e ndan fatin e gjithë Luginës së Preshevës, përkah zhvillimi i ulët ekonomik dhe standardi i ulët jetësor.Lirisht themi se në fshatin Raincë nuk ka ekonomi, nuk ka industri të zhvilluar, pra mungon sektori shoqëror dhe më shumë është i zhvilluar sektori privat, me disa ekonomi të vogla, ndërmarrje të vogla, me një numër të kufizuar të punëtorëve.

Kështu në fshatin Raincë ekzistojnë disa ndërmarrje të vogla, të cilat punësojnë një numër të vogël të punëtorëve të punësuar përhershëm, por më tepër sezonal. Punëtorët janë nga Rainca, por edhe nga fshatrat për rreth.

Më e njohura është “TOBLER SKELE”, e cila punëson rreth 50 punëtorë, pastaj ndërmarrja “SHERA” ka rreth 10 punëtorë. Në Raincë ekzistojne edhe disa ndërmarrje të tjera të vogla që punësojnë numër të vogël punëtorësh.

Poashtu në fshatin Raincë qytetarët kanë lokalet e veta afariste:shitore,kafiteri etjera. Ka edhe dhjetra dyqane, ku qytetarët zhvillojnë artizanatet e tyre si zdrukthtar, automekanik, auto vullkanizer etjerë.

Lista e objekteve ekonomike në fshatin Raincë: 

1.”TOBLER SKELE”, ndërmarrje që merret me prodhimin e skeleve dhe prodhimeve të tjera nga metali,

2.”SHERA”, ndërmmarrje që merret me prodhimin e betonit dhe me ndërtimtari,

3.BAKANI KOM”, ndërmarrje që merret me prodhimin e rërës dhe me ndërtimtari,

4.”RAINCA-BAU”, merret me ndërtimtari,

5.”AQUA PARK”, ofron shërbime rekreacioni dhe sporti,

6.”RIJADI”, ofron shërbime rekreacioni dhe sporti,

7.”CUFA PETROL”,ofron prodhime të derivative të naftës.

Popullata e fshatit Raincë, në të kaluarën jo shumë të largët, merrej me bujqësi, degë kryesore ekonomike, me të cilën sigurohej ekzistenca e familjeve në fshat. Më shumë kultivoheshin kulturat tradicionale: misri, gruri, perimet etjerë.Në fshatin Raincë deri vonë është kultivuar duhani si kulturë industriale, i cili sillte të ardhura të mira familjeve të Raincës, të cilat në shumë raste një numër i madh i familjeve e kishin burim të vetëm të ekzistencës.

Në fshatin Raincë, bujqit janë marrë edhe me blegtori, ku çdo shtëpi ka ruajtur së paku 2 lopë dhe numër të vogël të kafshëve të imta.

Kohëve të fundit në fshatin Raincë punohet vetëm toka pjellore dhe vetëm për nevoja familjare, ndërsa fort pak për nevoja tregu. Poashtu zvogëlohet edhe numri i kafshëve, kështu pjesa më e madhe familjeve nuk ruajnë kafshë.

Toka punohet me mjete jo agrare dhe pak përdoren masat agroteknike. Mungon sistemi i ujitjes dhe i makinerisë bujqësore për rendimente më të larta.

Viteve të fundit është investuar mjaftë në sferën e infrastrukturës, sidomos pas konfliktit të armatosur të vitit 2000/2001. Një periudhë të gjatë fshati Raincë është lënë pas dore dhe infrastruktura ka qenë në gjendje të mjerueshme, sikur edhe në tërë komunën e Preshevës.Me gjithate, me vetëkontributin e qytetarëve u realizuan disa projekte:asfaltimi i rrugës nga shkolla deri në autostradë, ura mbi lumë etj.

Në vitin 1996, me vetëkontributin e qytetarëve të fshatit Raincë dhe me ndihmën e komunës së Preshevës është asfaltuar pjesa e rrugës prej kishës së Raincës deri në fshatin Corroticë.

Prej vitit 2002 e këndej janë intensifikuar investimet në sferën e infrastrukturës dhe ngadal fshati I Raincës po merr pamjen e një fshati modern.

Investimet janë realizuar kryesisht nga mjetet e siguruara nga pushteti lokal, por edhe nga donacionet e huaja: organizata joqeveritare Amerikane CHF, UNDP, Qeveria e Zvicrës dhe ajo e Norvegjise.

Gjatë kësaj periudhe janë realizuar këto projekte:

-Është asfaltuar rruga në gjatësi prej 3,5 km prej autostradës e deri te varrezat e Garalive,

-Është ndërtuar rrjeti I kanalizimit fekal në gjatësi prej 9 km,

-Është përmirsuar  rrjeti elektroenergjetik/janë vënë 4 trafostacione të reja përveç atyre 3 ekzistuese, janë ndërruar të gjitha shtyllat, janë ndërruar kabllot përçuese/,

-Është ndërtuar salla për kulturë dhe edukatë fizike në kuadër të shkollës fillore,

-Është renovuar në tërësi shkolla e fshatit,

-Është ndërtuar shtrati I lumit në gjatësi prej 1.150 m,

-Është bë ndriçimi I rrugëve të fshatit,

-Është asfaltuar rruga në gjatësi prej 530 m në lagjen “Kodra e Bungës”,

-Janë regulluar varrezat e fshatit.

Vlera e tërësishme e investimeve kap shumën rreth 2 milionë euro. Të cekim se në projektet e kanalizimit fekal, në asfaltimin e rrugës në lagjen “Kodra e Bungës” dhe rregullimin e varrezave të fshatit kanë marrë pjesë edhe qytetarët e fshatit Raincë, me gjithësej 110 mijë euro.

Janë hartuar edhe projektet që presin për realizim:

-Asfaltimi i rrugës kah ana e lumit,

-Ndërtimi i Çerdhesë për Fëmijë, ku janë paraprë edhe zyret e Bashkësisë lokale dhe një bibliotekë e fshatit,

-Sistemi i ujit të pijshëm dhe

-Ndërtimi i një fushe të sportit.

Më rëndësi për fshatin Raincë është se përafërsisht 35% e popullatës së saj jeton dhe punon në diasporë: në Zvicërr, në Gjermani, në Austri, pastaj në në Belgjikë, në Norvegji, në Suedi, në Angli, në Portugali dhe në Danimarkë. Poashtu një numër I familjeve nga Rainca punojnë në SHBA, Kanada dhe në Australi. 

Në vitin 2010, Raincasit në Zvicërr themeluan Shoqatën “Rainca” nëpërmjet së cilës po e ndihmojnë vendlindjen financarisht në realizimin e projekteve të ndryshme.

2.Kultura në fshatin Raincë

Kultura nënkupton kulturën materiale dhe ate shpirtërore.Objekte të veprimtarive kulturore në fshatin Raincë nuk kemi asnjë. Në ndërtim e sipër është një object i Kopshtit të Fëmijëve, i cili do të ketë edhe hapësirën për bibliotekë. Aktivitetet kulturore në fshatin Raincë janë zhvilluar në lokalet e shkollës fillore “Zejnel Ajdini” në Raincë.

Nga fshati Raincë në veprimtaritë kulturore është i punësuar vetëm autori i këtyre rreshtave Vehbi Fazliu, punon në Bibliotekën “Mehmet Jusufi” në Preshevë.

Megjithatë fshati Raincë ka pasur një aktivitet dhe është zhvilluar gjatë periudhave të ndryshme veprimtaria kulturore.

Kështu në periudhën 1946-1955, në Raincë ekzistonin 2 Biblioteka Popullore, por pa sallë leximi, me fondin prej 205 librave, prej tyre 201 libra ishin literaturë propagandistiko-shkencore dhe 4 libra zbavitëse, një reviste dhe 6 gazeta. Bibliotekat ishin të vendosura në lokalet e shkollës, kishin punëtorin e përhershëm, mësues, por pa pagesë.

Pra, në këtë periudhë kohore del se në komunën e Preshevës ekzistonin: në Preshevë 3 Biblioteka Popullore me Leximore, prej tyre 2 në Preshevë dhe 1 në Raincë, 17 Biblioteka Popullore pa sallë leximi, me fondin e përgjithshëm librari prej 1.023 librave, 18 revistave dhe 38 gazetave, me 58 grupe të lexuesve, me 216 lexues që lexuan 261 libër.

Gjatë vitit 1957 organizohet Aksioni kulturor “Muaji I Librit”, ku organizohen orë dhe mbrëmje letrare, gazetat gojore në Preshevë, Raincë dhe Miratoc.

Me planin pesëvjeçar 1976-1980, të zhvillimit të veprimtarive kulturore pos tjerave u planifikua:

-Hapja e bibliotekave në fshatin Raincë, Corroticë, Zhunicë, Tërrnavë dhe Stacioni Hekurudhor.

Në vitin 1980, SHKA “Abdulla Krashnica” e Preshevës bëri një vizitë Belgjikës, ku shfaqi disa koncerte më këngë dhe valle popullore. Në mesin e Grupit të Vallëtarëve ishte edhe Sami Jusufi nga Rainca.

SHKA “Rexho Mulliqi” u themelua më 12 shkurt 1992, anëtare e Këshillit drejtues të Shoqërisë dhe këngëtare e saj ishte Haxhere Alihu nga Rainca.

“Kjo Shoqëri u dallua për sukseset kolektive dhe ato individuale, sepse në radhët e veta pati anëtarë të talentuar që korrën suksese në Preshevë dhe më gjërë”. Shkruan Xhemaledin Salihu në librin:Kultura shqiptare në Preshevë, f. 181

Me një përvojë të madhe këndimi ishte dalluar Haxhere Aliu, e cila mori pjesë në shumë koncertë dhe manifestime të ndryshme. Kështu, më 18 shkurt 1980, Haxhere Aliu mori pjesë në audicionin e Radio-Prishtinës që pastaj u kualifikua në Festivalin muzikor “Kosovarja Këndon”. Në këtë festival ajo u mirëprit mirë nga artdashësit ferizajas. Ajo, po ashtu mori pjesë në Festivalin muzikor “Kosovarja këndon” më 1992, në Preshevë. Më vonë zëri I saj do të kumbojë edhye në shiritin e filmit dokumentar “Degët e një trungu” të regjisorit Esat Teliti, të xhiruar në trevën e Preshevës, më 1992.

Më 15,16 dhe 17 maj 1985, Klubi letrar “Feniks” organizon Manifestimin kulturor “ Takimet e Krijuesve Preshevarë”, me ç’rast mbahen prë letrare në Rahovicë, Corroticë, Raincë, e tjerë.

Më 28 mars 1980, në Shtëpinë e kulturës “Abdulla Krashnica” mbahet Mbrëmja finale e Garave komunale të Fshatrave, në të cilën manifestim morën pjesë: Rahovica, Rainca, Corrotica, Lerani dhe Miratoci. Në këto Gara, Rainca zuri vendin e tretë.

Në Garat komunale të Fshatrave të vitit 1983 mori pjesë edhe Rainca.

 “Garat komunale të Fshatrave në Preshevë nxitën aktivitetin e Rinisë fshatare dhe kështu në këtë aktivitet lindë2n dhe u formuan shumë SHKA, sin ë Norçë, Raincë e tjerë. Në fshatin Raincë u formua SHKA “Rainca”, e cila mori pjesë në garat e nivelit komunal, ku arriti suksese te dukshme.

Në Manifestimin kulturor “Filloristi këndon’82” me programe kulturore artistike morën pjesë pos tjerave edhe Shkolla fillor “Zejnel Ajduini” Raincë, ku si soliste u dallua edhe Afërdita rexhepi nga Rainca.

Në Manifestimin kulturor “Revista e Amatorëve preshevarë ‘82”, mbajtur më 2,3 dhe 4 dhjetor 1982, Fatmire Murati u shpall solistja e parë e këtij Manifestimi.

Këngëtari nga Rainca, arsimtari I kulturës muzikore disa vite me radhë ishte anëtar I Grupit muzikor “Okteti”.

Këngët dhe vallet në fshatin Raincë janë pjesë e historisë së kulturës së tij. Ato lindin në kushte, rrethana të ndryshme. Sikurse fshatrat të tjera edhëe Rainca në kohë ka pasur këngëtarë dhe vallëtarë të talentuar, për të cilët bëmë fjalë më lartë.

Të cekim se dasmat shqiptare në Raincë ka luajtur rol të rëndësishëm në zbullimin dhe afirmin e talentëve këngëtarë dhë vallëtarë. Pra, dasma shqiptare në Raincë gjithmonë ka luajtur  dhe ka qenë factor I rëndësishëm në ruajtjen e traditës kombëtare, nëpërmjet këngëve dhe valleve.

Pos atyre më lartë, po cekim këngëtarët më të dalluar, përfaqsues të gjeneratave të ndryshme:

Haqif Latifi, Beqir Murat Beqiri, Asllan Halimi, Bajram Bajrami, Refik Veliu, Rashit Rashiti, Sadulla Rexhepi, Nazmi Veliu, Remzi Rexhepi, Liman Salihu, Hulusi Ymeri, Qenan Veliu, Haxhere Aliu, Fatmire Murati dhe Arjeta Jahiu.

Në Raincë janë kënduar këngë popullore e folklorike, poashtu disa këngëtarë të vjetër kanë kënduar edhe krahina të përcjellura me kavallë.

Në fshatin Raincë janë dalluar edhe vallëtarë të mirë të valleve popullore shqiptare. Vallëtarët janë dalluar me kërcimin e tyre në dasma brenda në fshat, por edhe jashtë fshatit Raincë.

Po i cekim disa vallëtarë të dalluar të Raincës: Jashar Meti/Çali/, Nijazi Bakani, Ibrahim Ymeri/Ibra i njohur/, Sherif Bakani, Refik Veliu,Sylejman Jusufi, Vebi Jusufi, Sylejman Shaqiri, Fehmi Kadriu, Sadush Rexhepi, Femi Mustafa, Mizafer Jahiu, Nazmi Veliu, Qenan Arifi, Sami Jusufi, Qamil/Riza/Qerimi/Gollubi/,Bejtulla Ymeri, Remzi Rexhepi, Nehat Jashari, Hajrulla Zymberi, Osman Xhelili , Xhevat Nuredini, e tjerë.

Se Raincasit janë vallëtarë të mirë thuhet “Në Raincë mos luajë hor/valle/, kurse në Konçul mos këndo këngë”.

Poashtu Rainca ka pasur instrumentalista të mirë të veglave muzikore. Ka luajtur me kavallë Rufat Januzi, me fyell ka luajtur Hajrush Azemi dhe me Çifteli ka luajtur Mustafë Arifi. 

Në Raincë : Ibrahim Ramadani-Ibra i njohur, bohem dhe virtuoz në valle, sidomos virtuoziteti i tij shihej dhe vinte në shprehje në vallen e Deli Agushit, që rrallëkush mund ta luante këtë valle sikur ai. Ky ishte i pashëm, me trup të gjatë dhe lehtë luante vallet. Bile shpesh Vallen e Deli Agushit e luante me aq elegancë dhe lehtësi, sa që lirisht duke luajtur shetitte nëpër tavolina në dasma e gazmende.

3.Kultura fizike në fshatin Raincë

Kur flasim për  kulturën fizike, ajo menjëherë lidhet me fudbollin në fshatin Raincë. Fudbolli thuhet se në fshatin Raincë ka filluar të luhet para gjysëm shekulli.

Klubi i parë futbollistik ka qenë i themeluar aty kah vitet 1974/75 me emrin Rainca/Partizani/

Kontributin më të madh në fudboll e kanë dhënë: Mevlan Veliu, Nexhat Halimi, Hajrullah Abdullahu, Xhemal Ymeri, Zylfi Halimi, Qenan Jusufi, Baki Veliu, Ramadan Veliu, Nexhat Shaqiri, e tjerë. Nuk duhet harruar edhe kontributin e Remzi Rexhepit, Hajrush Iljazit dhe Fevzi Zahirit.

Klubi futbollistik ka bërë gara komunale, por edhe rajonale, ku ka arritur rezultate të lakmueshme. Klubi pushoi së ekzistuari gjatë vitit 1990.

Pastaj më vitin 1988/89 themelohet Klubi futbollistik me emrin Rainca 1, luhet futboll i madh.

Klubi i përmendur rezultatet më të mëdha i arriti gjatë viteve 1989/90 deri në vitin 2005/06.

Kontribues më të mëdhënj janë këta lojtarë: Qenan Jusufi, Qenan Veliu, Emrush Hallimi, Behar Fazliu, Adnan Veliu, Ylber Veliu, Faredin Ymeri, Vebi Memishi, Bajrami, Telati, Fatlumi, Sadullahu, Shabani dhe disa të tjerë.

Klubi i përmendur gjatë sezonit 1994/95 ka fituar disa turnire si dhe disa herë  ka fituar vendin e parë në Turnirin tradicional për nder të Musa Musahut, ku është shpërblyer me të holla dhe pajisje sportive.

Në kulturë fizike më së shumti janë dalluar Emrush Halimi dhe Bejar Fazliu, të cilët kryen edhe fakultetin e edukatës fizike dhe janë aktiv në aktivitetet e kulturës fizike.

Emrush Halimi është profesor i kulturës fizike në shkollën fillore në Raincë, u dallua në lojën e futbollit në fshatin Raincë, ku disa herë u zgjodh lojtar i vitit në komunën e Preshevës, luajti për klubin futbollistik të Preshevës, deri sa ky klub bëri gara në Ligën e Kosovës. Mirëpo, më vonë shkaku i Luftës së Kosovës ndërpreu këtë aktivitet.

Bejar Fazliu, magjistër i kulturës fizikës dhe karatist me shirit të zi, i njohur në Raincë, por edhe më gjërë. Poashtu dha kontribut si pedagog, mësues.Sidomos bëri shumë në përhapjen e karatesë mbrojtëse tek të rinjët në Raincë e gjetiu.  

 

REFERENCAT

1.Salihu, Xhemaledin, Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995, Preshevë, 1999

2.Pjesa e shkrimit:Ekonomia është marrë nga Lulzim Veliu, Fshati Raincë, më 02.12.2011

3.Shënimet për kulturën fizike janë marrë nga Prof. Emrush Halimi, më 01.12.2011

 

Shkruajnë: Xhemaledin SALIHU&Vehbi FAZLIU

 

Preshevë, më 26 shtator 2014