SHPËRNDAJE

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina javën e kaluar është ndaluar nga policia e Maqedonisë së Veriut në kalimin kufitar Bllace me kërkesë të Serbisë në Interpol me akuzën “krim ndaj njerëzimit” dhe autoritetet e shtetit maqedonas i kanë caktuar paraburgim prej 30 ditësh, për të pritur faktet e Serbisë për këtë rast.

Telegrafi Maqedoni ka folur me avokatin e tij, Naser Raufi i cili e përfaqëson Morinën, ish-pjesëtar i UÇK-së – para institucioneve të Maqedonisë.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin në Maqedoni avokati Raufi ka thënë se pas vizitës që i ka bërë dje klientit të tij gjendja është stabile.

“Gjendja është e mirë. Dje e vizitova. Gjendet në burgun e Shkupit-Shutka. Interesi është në nivel të lartë. Sot në mëngjes u paraqit Agim Nuhiu, zv.ministri i Policisë së Maqedonisë së Veriut dhe i tregova çka të ndërmarrin. Jemi duke pritur dokumentacionin me prova që e posedon Serbia”, tha Raufi për Telegrafi Maqedoni.

Përndryshe për këtë rast ka folur edhe kryeministri Zoran Zaev pas pyetjes së deputetit të BDI-së, Ejup Alimi në seancën e pyetjeve të deputetëve.

“Më vjen turp të jem pjesë e këtij Kuvendi. Më arrestoni lirshëm, ja po e thërras ministrin Spasovski që ta bëjë këtë. Të fshihen veprimet e Millosheviçit, ndërsa ju kryeministër të keni turp”, tha Alimi.

Ndërsa kryeministri Zoran Zaev iu përgjigj Alimit se sundimi i ligjit dhe respektimi i ligjeve dhe rregulloreve ndërkombëtare është një vlerë normative, evropiane.

“Ekstradimi ka arritur nga Interpoli, as nuk është as nga Vuçiq apo Millosheviçi. Nga Interpoli ku ne jemi anëtare dhe ku kemi votuar që Kosova të jetë anëtare, pavarësisht se Serbia është kundër. Procedurat kryhen nga prokurori kompetent dhe gjykatësi kompetent vendos për to, as nuk e udhëheq Zaevi, as Spasovski, as Agim Nuhiu, as ndonjë qeveri”.

“Për ekstradimin e Morinës vendosin institucionet kompetente”, tha Zaev.

Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Ministria e Drejtësisë.

“Në pajtim me Konventën evropiane për ekstradim, Ministria e Drejtësisë në suaza të kompetencave të saja, për procedurat e ekstradimit e njofton Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut për privimin nga liria të shtetasve të huaj, me qëllim, njoftimin e përfaqësive konzulare të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlanda Veriore, shtetas i të cilave është personi në fjalë. Ministra e Drejtësisë nuk ka marrë kërkesë formale nga Serbia për ekstradim të këtij personi. Në rast të veprimit të mëtejshëm, Ministra e Drejtësisë do të dorëzojë dokumentacionin e nevojshëm për vendimmarrje në organet e drejtësisë”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Edhe në rast të kërkesës për ekstradim, autoritetet në Maqedoni të Veriut mund të përdorin nenin tjetër të Ligjit për ekstradim, i cili thotë se nëse ekzistojnë dyshime që në shtetin ku kërkohet ekstradimi, gjykimi nuk do të jetë i drejtë apo mund të cenohet siguria e personit në fjalë, atëherë kërkesa për ekstradim mund të hidhet poshtë dhe personi të lirohet.

Neni 66, pika 3 e Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtarë për materie penale.

“Ministri nuk do të lejojë ekstradimin e personit për të cilin është kërkuar ekstradim, nëse ekzistojnë arsye serioze të dyshimit se ai mund t’i nënshtrohet torturës dhe apo ndonjë lloji tjetër trajtimi mizor, çnjerëzor ose degradues, ose shqiptim i dënimit me vdekje”.