SHPËRNDAJE

Ekspertë serbë të ligjit thonë se çdo marrëveshje përfundimtare me Serbinë, që ndryshon kufijtë e vendit, do të ndikojë te kushtetuta dhe për këtë arsye duhet të kalojë në referendum.
Ndërsa liderët serbë hedhin fjalë për një referendum mbi statusin e ardhshëm të Kosovës, ekspertët ligjorë këmbëngulin se gjendja e ish-provincës duhet të rregullohet me ndryshime në kushtetutën e Serbisë, pavarësisht ndonjë marrëveshjeje të mundshme me Prishtinën.

Vladimir Gjukanoviq, një deputet për Partinë qeverisëse Progresive Serbe, së fundmi konfirmoi se një referendum është një opsion për autoritetet serbe nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare me Kosovën.

“Në këtë rast, do t’i kërkojmë qytetarëve të vendosin, nëse kjo ndodh (marrëveshja). Fillimisht le të shohim,” tha Gjukanoviq për BIRN.

Gjukanoviq i bëri jehonë njoftimit të presidentit Aleksandar Vuçiq të 23 gushtit kur tha se nëse arrihet një zgjidhje për çështjen e Kosovës, Serbia do të duhej të mbante një referendum.

“Unë do të propozoj çfarë të mundem dhe do të duhet të shkojmë drejt një referendumi. Të lëmë popullin të flasë,” tha Vuçiq.

Megjithatë, profesori i drejtësisë nga Novi Sadi Slobodan Orloviq thotë se statusi i Kosovës në sytë e serbëve tashmë u ndryshua në vitin 2013 dhe se realiteti duhet të pasqyrohet në kushtetutë.

“Statusi kushtetues i Provincës Autonome të Kosovës dhe Metohisë ndryshoi me Marrëveshjen e Parë të Brukselit në vitin 2013,” tha Orloviq për BIRN.

Kushtetuta e Serbisë e quan Kosovën si një pjesë integrale të Serbisë, pavarësisht se ajo u shkëput de facto në vitin 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s në mbështetje të kryengritësve që kërkonin pavarësinë.

Për këtë arsye, kufiri de facto me Kosovën quhet vetëm një “vijë administrative”.

Çdo ndryshim formal në kufijtë serbë kërkon ndryshime kushtetuese.

Më 19 prill 2013, në Bruksel u nënshkrua një marrëveshje nga Serbia dhe Kosova që hodhi pika negocimi dhe kompromisi në lidhje me pakicën serbe të Kosovës, natyrën e ndarjes së pushtetit midis komuniteteve serbe dhe shqiptare të Kosovës dhe perspektivën e përfshirjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Në dhjetor 2014, Gjykata Kushtetuese e Serbisë hodhi poshtë një kërkesë për të vlerësuar kushtetutshmërinë e të ashtuquajturës Marrëveshje të Brukseli, duke e cilësuar atë si një çështje politike, e jo juridike.

Propozimi për një vlerësim kushtetues u paraqit nga Partia Demokratike e Serbisë, DSS, e krahut të djathtë.

Deputetët e saj pretenduan se Marrëveshja e Brukselit ishte një akt ligjor me të cilin qeveria serbe “kishte hequr institucionet e Serbisë në Kosovë, duke shkelur integritetin territorial të Serbisë”.

Orloviq tha se për të zgjidhur ndonjë gjë në lidhje me statusin kushtetues të Kosovës në Serbi përtej asaj që rregullon kushtetuta aktuale, duhet të mbahet një referendum kushtetues, në të cilin qytetarët të shprehin dëshirën e tyre.

I pyetur nëse presidenti serb kishte gjasa të shkonte drejt një referendumi të tillë, Orloviq tha se autoritetet duhet të iniciojnë procesin e ndryshimit të kushtetutës dhe, si pjesë të kësaj, të kërkojnë një referendum kushtetues nëse ndryshimet e propozuara miratohen nga një shumicë prej dy të tretash në parlament.

Ai shtoi se presidenti serb, qeveria, një e treta e deputetëve ose 150,000 votues mund të propozojnë të gjithë dispozita që rregullojnë statusin kushtetues të Kosovës.

Ekspertë të tjerë ligjorë në Serbi bien dakord se nëse Serbia dhe Kosova arrijnë një marrëveshje që përfshin korrigjimin e kufijve, ndarjen në linja etnike apo ndonjë lloj shkëmbimi toke, Serbia duhet të ndryshojë kushtetutën e saj.

Bogoljub Milosavljeviq, një profesor i së drejtës kushtetuese nga Beogradi, thotë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të bëhet pa ndryshuar kushtetutën.

Dokumenti thotë se Serbia “përbëhet nga dy krahina autonome, Vojvodina dhe Kosova dhe Metohija”, kujtoi ai në Radio Europa e Lirë më 23 gusht.

Megjithatë, disa parti opozitare serbe e kundërshtojnë idenë e një referendumi, duke thënë se ai do të abuzohet për të legjitimuar marrëveshjet “e fshehta” të arritura nga presidenti.

Ata po kërkojnë një debat kombëtar më të gjerë dhe më të hapur për çdo marrëveshje të ardhshme me Kosovën, si dhe për shkëmbimet e dyshuara të territoreve.

Borko Stefanoviq, kreu i të Majtës Serbe, tha për të përditshmen serbe në Beograd Danas se një referendum ishte një zgjidhje e papranueshme për statusin përfundimtar të Kosovës, pasi ai thjesht do të shërbente si një alibi për marrëveshjet e fshehta të projektuara për t’i mundësuar lidershipit të thotë “Këtë s’e bëmë ne, por populli.”

Ndërkohë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Vuçiqi do të takohen në Bruksel më 7 shtator për një raund të ri bisedimesh të ndërmjetësuara nga BE-ja me qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes dy vendeve, që shumë besojnë se ka hyrë në fazën përfundimtare.

Dy ditë më vonë, Vuçiqi do të vizitojë Kosovën për të paraqitur “udhëzimet dhe orientimet e politikës shtetërore ndaj Kosovës”.