SHPËRNDAJE

Prof. Dr. Masoud Mardani, anëtari i Komitetit Shkencor për coronavirusin e ri (COVID-19) në Iran, paralajmëroi për “katastrofë” në rast se nuk zbatohet ndalesa e udhëtimit në vendin ku kanë humbur jetën afër 2.000 persona nga pandemia.

Merdani vlerësoi për Anadolu Agency (AA) zhvillimet dhe masat në lidhje me COVID-19 në Iran.

Ai tha se shpejtësia e përhapjes së virusit në Iran është më e lartë se ajo në Kinë.

“Ne e vërejtëm epideminë pasi u përhap në vend. Rastet e para të konfirmuara në Qom, ishin shfaqur disa javë më parë. Nuk u realizua izolimi gjatë kësaj periudhe dhe epidemia që filloi në Qom u përhap edhe në qytetet tjera”, u shpreh ai.

Mardani potencoi se në ditë 100 deri 150 persona humbin jetën nga COVID-19, ndërsa mijëra diagnostikohen me virusin, duke shtuar se të dhënat që i publikon ministria e shëndetësisë janë vetëm rastet që regjistrohen nëpër spitalet.

“Në rast se nuk parandalohen vizitat për festën e Nevruzit, kjo do të thotë se katastrofa është pranë derës”, tha Mardani.

“Sanksionet e SHBA-së shkaktojnë rritjen e vdekjeve”

Mardani më tutje theksoi se një pjesë e popullit nuk e marrin me seriozitet epideminë, duke shtuar se sanksionet e SHBA-së ndaj Iranit ndikojnë negativisht në luftën kundër coronavirusit.

“Sanksionet e SHBA-së shkaktojnë rritjen e vdekjeve”, tha ai.

Ndërkohë, ai vlerësoi edhe ndihmat e disa vendeve përfshirë këtu edhe Turqinë.

“Në krye të vendeve që dërguan ndihma humanitare në Iran janë Turqia, Katari, Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe”.

Ai gjithashtu foli edhe për luftën e devotshme të personelit mjekësor kundër COVID-19.

“Vetëm në Qom, 40 doktorë dhe 130 infermiere rezultuan pozitiv me coronavirus. Shumë doktorë dhe infermierë i humbëm në këtë luftë”, u shpreh Mardani.

Sëmundja në Iran u shfaq fillimisht në qytetin Qom më 19 shkurt, ndërsa më pas u përhap në të gjitha provincat.

Numri i të vdekurve nga COVID-19 në Iran është rritur në 1.934, pasi 122 persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit.

Coronavirusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, u shfaq për herë të parë në Wuhan, Kinë, dhjetorin e kaluar dhe është përhapur në të paktën 167 vende dhe territore.