SHPËRNDAJE

Prej mëngjesit të kësaj të hëne, 17 shtator 2018, ka hyrë në fuqi tarifa për qarkullimin në Rrugën e Kombit. Në nisjen e këtij procesi nuk janë kontaktuar probleme, ndërsa ka pasur prezencë edhe të Policisë.
Kompania që ka marrë me koncesion shërbimin ka zgjeruar në 10 sportele pikën e pagesës. Siç është bërë e ditur, banorët e qarkut Kukës do të përfitojnë nga një skemë lehtësuese.

Dy pista janë dedikuara për mjetet e këtij qarku. Pista e parë në sensin Kukës-Tiranë dhe e tjetra në kthim. Drejtuesit e mjeteve nga ky qark duhet të kujdesen më parë për të zgjedhur pistën e dedikuar për ta.

Në sportel do të bëhet verifikimi i targës dhe ata do të përfitojnë tarifën e reduktuar prej vetëm 100 lekësh me TVSH. Për të eliminuar kostot për banorët pjesë e skemës janë edhe 11 linja të transportit interurban që janë licencuar në qark. Tarifat bazë për motorë janë 2.5 euro, veturë 5 euro, autobusë dhe kamionçina 11.2 euro, kamionët e mesëm 16.2 euro dhe kamionët e rëndë 22.5 euro.

Përdoruesit e shpeshtë të kësaj rruge do të përfitojnë reduktime të ndjeshme të tarifës. Sipas përllogaritjeve, gjatë një dite në “Rrugën e Kombit” lëvizin rreth 5.000 automjete. Kompania ka vënë në dispozicion të qytetarëve numrin e telefonit 0800 0400 ku mund të telefonojnë falas për çdo pyetje e paqartësi. /21 Media.