SHPËRNDAJE

Të nderuar qytetarë të Republikës, Deputetë të Kuvendit, Zgjidhja e çështjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk është vetëm çështje e sigurisë.

Ajo, në radhë të parë, paraqet çështje të të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve, por është edhe kriter i integrimeve evropiane të Serbisë. Pa ndryshuar rrënjësisht gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nuk është e mundur që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Kapitujt 23 dhe 24, Gjyqësori, të Drejtat dhe Liritë Themelore, Siguria, e imponojnë këtë gjë.

Mirëpo, në vend se ne t’i përdorim këta dy kapituj për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve atje, nga Prishtina është demobilizuar Lugina e Preshevës, pikërisht në emër të premtimit që ata shumë shpejt do të na bashkangjiten neve pa ndonjë farë sforcimi shtesë, paçka se më herët ishte zhvilluar një luftël, bartëse e së cilës ishte Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, dhe, gjithashtu ishte mbajtur edhe referendumi i 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, i cili referendum nuk është përfshirë në pozicionet zyrtare as të shtetit të Kosovës e as të Shqipërisë.

Për shkak të bojkotimit të regjistrimit të popullsisë, siç ka vërejtur Këshilli për të Drejtat e Njeriut, është reduktuar edhe numri i anëtarëve të Këshillit Kombëtar Shqiptar nga 29 në 15, për shkak se Ministria për Administratë Shtetërore dhe Vetadministrim Lokal e ka aplikuar kriterin sipas të cilit në Serbi ka gjithsej vetëm 5.805 shqiptarë. Ky është një qëndrim cinik i shtetit serb. Kur është bojkotuar regjistrimi i popullsisë atje, ata pak që janë regjistruar janë konsideruar të vetmit shqiptarë që ekzistojnë atje. Prandaj, edhe duke e zvogëluar Këshillin Kombëtar Shqiptar nga 29 në 15 anëtarë, kjo ka rezultuar edhe në zvogëlimin e mjeteve financiare që këtij Këshilli i ndahen nga buxheti.

Papunësia në krahinën shqiptare që ka mbetur nën administrimin e Serbisë është shumë e madhe, gjë që shkakton emigrim drejt Kosovës dhe shteteve perëndimore. Vetëm në periudhën mes viteve 2012-2016, numri i nxënësve në Preshevë ka rënë për 1.300. Nga Komuna e Medvegjës, pas vitit 1999, janë shpërngulur 5.500 shqiptarë apo mbi dy të tretat e tyre. Në shkollën e fshatit Tupallë, ku dikur mësimet i vijonin 320 nxënës shqiptarë, kanë mbetur vetëm 15 nxënës. Në fshatrat e Komunës së Bujanocit, si Zarbinca, Suharna, Novosella e Epërme, Priboci, Muhoci, Ramabuça, Gjergjeci e Çarri, që njihen edhe si fshatrat e Malësisë së Bujanocit, e ku dikur jetonin mbi 10.000 banorë, kanë mbetur vetëm 16 familje.

Në vitin shkollor 1981-82, shkolla fillore “Skënderbeu” në Zarbincë numëronte 851 nxënës, kurse në vitin 2018, kjo shkollë ka ngelur vetëm me 8 nxënës. Ata që janë zhvendosur në Kosovë, nuk janë evidentuar as si kategori e të dëbuarve të luftës, as si refugjatë, as si persona të zhvendosur brenda shtetit, dhe, ende nuk kanë dokumentacion të rregulluar me qëndrim të përkohshëm apo të përhershëm. Serbia vazhdon diskriminimin e kësaj krahine që banohet me shumicë shqiptare dhe i evidenton si qytetarë ‘juridikisht të padukshëm’.

Ndaj tyre zbatohet mosvazhdimi i dokumenteve, pasivizimi i adresave dhe i vendbanimit, verifikimi i fakteve të qëndrimit të përhershëm në mënyrë selektive, dhe, kështu ata gradualisht i humbin të drejtat sociale dhe ato të votuesit, siç thuhet në raportin e Këshillit për Drejtat e Njeriut. Në Preshevë, vetëm 5% të popullsisë janë serbë, mirëpo ata përfaqësohen me 60% në gjyqësorin lokal.

Shkalla e papunësisë tejkalon 60%, ndërsa këto komuna i kanë të hyrat më të vogla për kokë banori krahasuar me pjesët e tjera të Serbisë. Presheva, Medvegja dhe Bujanoci paraqesin rajonin më të pazhvilluar në Serbi. Presheva, për shembull, komunë me mbi 90% shqiptarë, është komuna më e pazhvilluar me vetëm 200 euro për kokë banori, me shkallë rekorde të papunësisë; e, parametra të ngjashëm vlejnë edhe për Bujanocin e Medvegjën. Sipas të dhënave të Odës Ekonomike në Leskoc, paga mesatare mujore në qarkun e Pçinjës dhe Jabllanicës në tetor të vitit 2015 ishte për 24% më e ulët se paga mesatare në Serbi.

Papunësia ndër shqiptarët, sipas raportit të KDNj-s, është më e larta në rajon pas asaj të popullsisë rome. Për sa i përket shkrimit, problem të veçantë paraqet fakti se emrat në gjuhën e pakicave, të cilat përmbajnë shkronja që nuk ekzistojnë në shkrimin cirilik, deformohen me rastin e transkriptimit. Një gjë e tillë paraqet problem sidomos për personat të cilët nuk kanë mundësi të marrin dokumente në gjuhën amtare. Rezoluta e Parlamentit Evropian për Standardet Minimale për Pakicat e inkurajon komisionin dhe shtetet anëtare të pranojnë se secili person që i përket një pakice kombëtare ka të drejtë ta përdorë mbiemrin e saj ose të tij (patronimin) dhe emrin në gjuhën e pakicave, dhe, ka të drejtë në njohjen e tyre zyrtare (emrit dhe mbiemrit), përfshirë edhe në kontekstin e lirisë së lëvizjes brenda Bashkimit Evropian. Kjo rezolutë është miratuar me 13 nëntor të vitit 2018.

Ligji për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave Kombëtare pamundëson përdorimin e simbolit të shqiptarëve, flamurit me sfond të kuq dhe me shqiponjën e zezë dykrenare në mes. Në aq shumë aspekte shqiptarët atje e kanë gjendjen shumë më të rëndë edhe se në kohën e Jugosllavisë famëkeqe. Pas kërkesave të shumta për disa vite, materniteti më në fund është hapur në prill të vitit 2015. Me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë është lejuar që për nevojat e punës të pranohen dy mjek specialistë dhe 10 infermiere.

Materniteti është ndihmuar edhe nga qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, por me nga 50.000 euro. Kaq i kemi ndihmuar ne shqiptarët atje, që të mund të lindin, por jo edhe që të mund të rriten dhe jetojnë. Vështirësitë e lindjes mbase nënave shqiptare atje ua kemi lehtësuar, mirëpo jo edhe vështirësitë e rritjes së fëmijëve të tyre, të cilët kur rriten masivisht emigrojnë.

Barnatorja në Preshevë është pjesë e barnatores në Vranjë. Diskriminimi, nënpërfaqësimi, shfrytëzimi, shtypja e shqiptarëve atje është e pashembullt. Ndërkaq, premtimi që ata do të na bashkohen neve me konferenca shtypi që organizon presidenti vetëm sa i kanë demobilizuar dhe i kanë pasivizuar.

Natyrisht që ne mund t’i rendisim shumë hapa, aksione që duhet t’i ndërmarrim për shqiptarët atje, por unë do t’i kisha përmbledhur në katër kryesore. Institucionet e Republikës së Kosovës, e po ashtu edhe ato të Shqipërisë, duhet të kërkojnë:

1) Televizion publik në gjuhën shqipe në Preshevë,

2) Universitet në gjuhën shqipe në Bujanoc,

3) Investime të shqiptarëve në Medvegjë, dhe,

4) Heqjen e bazës ushtarake të Serbisë në Boroc të Bujanocit.

Në këtë mënyrë, me këto kërkesa, shqiptarët kudo që janë, jo vetëm në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, dhe jo vetëm institucionet e Kosovës e të Shqipërisë, dalin në ofensivë kundrejt shtetit të Serbisë, i cili nuk ka as keqardhje e pendesë për krimet nga e kaluara dhe as që i ka ndryshuar qëllimet e planet për neve për të ardhmen.

Ju falemnderit./presheva.com/