SHPËRNDAJE

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, ka deklaruar sot se në qeverinë e Serbisë nuk ka ardhur asnjë paralajmërim për vizitën eventuale të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në Preshevë, se dhe ai së pari duhet t’i drejtohet qeverisë serbe.
“Nuk kemi asnjë paralajmërim. Së pari duhet t’i drejtohet qeverisë së Serbisë. Së pari do të shohim se çfarë do t’i thotë qeverisë së Serbisë, dhe më pas do të vendosim”, ka thënë Bërnabiq.

Ajo ka shtuar se “Serbia është vend i cili mund të sigurojë çfarëdo vizite sepse është stabile dhe ka sovranitet”.

Ajo ka vlerësuar se fjalimi i kryetarit serb Aleksandar Vuçiq në Mitrovicën e Veriut është “historik” sepse, siç pretendon “ka ofruar perspektivën e Serbisë së re, stabile e cila nuk ka pretendime të fitojë në luftëra por në ekonomi”.

Duke komentuar incidentet të cilat e kanë përcjellë vizitën e Vuçiqit në Kosovë, ajo pretendon se “edhe një herë është konfirmuar deklarata e saj e mëhershme se liderët momental të shqiptarëve të Kosovës janë të paparashikueshëm dhe se nuk i respektojnë marrëveshjet”.

“Për fat të keq ata janë politikanë të luftës, nuk janë politikanë të paqes, por ne do të punojmë sipas porosive të paqes, të cilat i ka dhënë presidenti ynë Aleksandar Vuçiq”, ka deklaruar Bërnabiq.