SHPËRNDAJE

Lidhjet e Nënës Terezës me Kosovën kanë qenë të pashkëputshme. Regjimet e së kaluarës pushtuese e komuniste, në Shqipëri, por deri diku edhe nën ish-Jugosllavi, kanë bërë përpjekje që ta mbajnë sa më larg vetes dhe shqiptarëve emrin e saj, ani se ajo ishte edhe nobeliste.

E sulmonte Serbia para luftës, burgoste aktivistët e SHHB “Nëna Tereze”, policia serbe i shqyente posterët me emrin e saj me bajoneta, e shante barbarisht… Por askush nuk e kishte përfytyruar që pas luftës çlirimtare në Kosovë, do të zhvillohen fushata të pambarim kundër figurës dhe emrit të saj, kundër veprimtarive me emrin e saj e kundër veprave skulpturore, fetare a kulturore që i kushtohen asaj.

Për ata që thonë se ajo nuk e ka njohur Kosovën dhe nuk ka ditur shqip, mjafton vetëm një paraqitje faktesh të shkurta e të përgjithshme, pa hyrë në detaje të tjera.

Në vitet ’70 e me ’80 ajo ka qenë në Kosovë, madje në Klinë e në Zllakuqan. I është bërë pritje vetëm nga populli dhe nga Kisha Katolike. Shkupin, vendlindjen e saj, ajo e ka vizituar dy herë: 1970 e më 1978 … Familja e saj ka qenë e shpërngulur nga Prizreni. Prandaj në Prizren ka qenë prej datës 9 deri më 12 korrik 1970 (lexuesit i dinë disa intervista të saj për gazetën “Drita” të Ipeshkvisë së Kosovës me rastin e marrjes së Çmimi t NOBEL). Dhe veprimtaria e saj botërore, pra, shtrihet edhe në Shkup, Prizren e Kosovë që në ato vite… Dëshmi janë rregulli i saj, motrat e nderit të Nënës Tereze që veprojnë në Kosovë e në Kroaci që nga ato vite… pa i numëruar edhe veprimtaritë tjera me interes. Prandaj ajo ka qenë disa herë edhe në Zagreb të Kroacisë. Se a njihej nga opinioni i gjerë, dëshmi janë ato mijëra shkrime për te që nga pas Lufta e Dytë Botërore e këndej e posqërisht pas marrjes së Çmimit Nobel.

Shumë banorëve të Klinës u kujtohet vizita e saj më 1982 në Kishën e Zllakuqanit dhe ajo me atë rast është lutur shqip dhe ka folur shqip. Respekti ndërfetar shqiptar në ato dekada ishte shembull për vendet e tjera. Nëna Tereze i nderonte të gjithë shqiptarët pa dallim feje e krahine. “Nënë Tereza është Shqipëri Etnike. Ajo dhe familja e saj ishte viktimë e gjenocidit serb”, thuhej në shënimet biografike për të. Bile shtypi i Indisë e vuri në dukje këtë problem gjatë ditëve të varrimit të saj në Kalkutë.

Pra, ajo e njihte mirë e mirë Kosovën, komunikonte mirë e mirë shqip dhe Kosova e ka njohur fort mirë.