SHPËRNDAJE

Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj ka paralajmëruar se masat e marra lidhur me largimin nga detyra të dhjetëra diplomatëve e konsujve nderi nuk do të jenë të vetmet.

E gjithë kjo po zhvillohet në kuadër të reformave të ndërmarra nga ministri Cakaj dhe Qeveria Rama.

Por në vazhdën e ndryshimeve të mëdha që Cakaj po bën në Shqipëri tani janë përfshirë edhe emra të njohur mediatik nga Shqipëria.

Indeksonline ka siguruar emrat e gazetarëve, moderatorëve, drejtuesve e aksionarëve të shumtë të mediave të cilëve tashmë iu janë larguar privilegjet shtetërore. Pasaportat e Shërbimeve Diplomatike nuk do të jenë më në shërbim të shumë emrave që bën bujë në mediat shqiptare.

Blendi Fevziu, Mero Baze, Mentor Nazarko, Sokol Balla, Ylli Rakipi bashkë me gjithë familjen e tij, Robert Rakipllari-Kryeredaktor në Panorama, Ben Blushi, Remzi Lani, Koqo Kokdhima, Vjollca Hoxha nga Top Channel, Ardit Gjebrea ndër moderatorët më të njohur, Eduar Frankaj dhe Aleksander Frangaj janë emrat që prej sot nuk do të mund të përfitojnë nga privilegjet shtetërore.

Përpos raportimit të sotëm për shkarkimin e 50 diplomatëve dhe 20 konsujve të nderit në Shqipëri, gjatë ditëve në vazhdim Indeksonline do të vazhdoj të publikoj emrat e biznesmenëve që nuk do të mund t’i përdorin më pasaportat e Shërbimeve Diplomatike.

Gjithashtu Indeksonline do të bëjë publik edhe emrat e konsujve të nderit të cilët janë shkarkuar me vendim të ministrit Cakaj.