SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha ka zhvilluar takime me zyrtarët e lartë të institucioneve dhe drejtues të partive politike në kuadër të vizitës së tij dy ditore në Kosovë. Gjatë takimeve me krerët e shtetit, temë diskutimi kryesisht ishte thellimi i bashkëpunimit mes dy shteteve, rëndësia e dialogut Kosovë-Serbi , heqja e taksës në “Rrugën e Kombit” dhe ndryshimi i kufijve.

Basha nisi takimet e tij me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, ku pas takimit, në një konferencë të përbashkët për media njoftuan se në takim kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe Shqipëri.

“Kënaqësi e veçantë të takoj mikun tim të vjetër. Diskutuam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe Shqipëri dhe mundësit për bashkëpunim më të mirë vëllazëror. Diskutuam edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për neve është me rëndësi jetike që të kemi një konsensus sa më të gjerë sa më përfshirës. Kontributi i Shqipërisë për neve gjithmonë ka qenë i mirëseardhur”, deklaroi presidenti Thaçi.

Presidenti shtoi më tej se dialogu me Serbinë nuk do të jetë teknik dhe se ai duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Ndërkaq, Basha tha se ia ka ofruar mbështetjen e tij presidentit Thaçi sa i përket dialogut me Serbinë.

“Shkëmbyem informacione për zhvillimet e fundit Kosovë, Shqipëri dhe hapat që po hidhen për dialogun me Serbinë. I shpreha mbështetjen time presidentit Thaçi për qëndrimet e tij si kreu i shtetit, në mbështetje të dialogut”, pohoi ai.

Pastaj, kreu i PD-së takoi kryeministrin Avdullah Hoti, ku gjatë konferencës ka thënë se pas zgjedhjes së tij si kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, vendimi i parë që do të ndërmerr do të jetë heqja e taksës dhe traut në Rrugën e Kombit.

“Ky është Vendim i padrejtë që rëndon në ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë dhe ngadalëson shkëmbimin ekonomik dhe shanset për bashkërendim të faktorëve ekonomik mes dy vendeve tona”, ka thënë Basha.

Basha ka falënderuar Hotin për rolin e tij në rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi.

“Dua t’ju falënderoj për liderishipin tuaj në rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi në shinat dhe kornizën për të cilën ky dialog u konceptua dhe t’ju shpreh mbështetjen time dhe të PD-së në këtë qasje parimore që mund të ketë vetëm një përfundim njohjen reciproke në mes dy vendeve”, ka thënë Basha.

Kryetari i PD-së, tutje ka lavdëruar dhe Pakon për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë COVID-19 të hartuar nga Qeveria Hoti.

“Me pakon ekonomike që ju keni propozuar, ju e vendosni Kosovën në krye të vendeve të rajonit dhe përbënë shembull edhe për Shqipërinë ku situata është po aq kritike, vendimmarrja juaj dhe mënyra sesi do të bëhet zbatimi i kësaj pakoje përbën shembull edhe për Tiranën dhe për ne si opozitë”, tha Basha.

Ndërsa, në takimin me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, u bisedua për çështjen e kufijve të Kosovës.

Kryetari i PD-së, Basha tha se roli i Shqipërisë, do të jetë mbështetje totale për Republikën e Kosovës, duke bërë gjithçka për të ruajtur integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Basha po ashtu u shpreh se opozita e bashkuar në Shqipëri do të mbështes agjendën e institucioneve të Kosovës dhe se konsiderojnë se dialogu është rruga për të ecur përpara, me objektiv kryesor njohjen reciproke mes Kosovës e Serbisë.

“Roli i Shqipërisë, do të jetë mbështetje totale për Republikën e Kosovës, për institucionet e Republikës së Kosovës dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës, duke respektuar pavarësinë, sovranitetin, duke bërë gjithçka për të ruajtur integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, tha Basha.

Osmani gjatë konferencës për medie ka thënë se duhet të ketë zëra të qartë në Shqipëri kundër këtyre “ideve dhe aventurave të rrezikshme”, siç i quajti ajo idetë për ndryshim kufijsh.

“E falënderova zotëri Bashën për qëndrimin konsekuentë të tij dhe Partisë Demokratike, dhe zërin e tyre të çmuar kundër ideve dhe aventurave të rrezikshme për ndryshimit të kufijve, është tejet e nevojshme, që çdokush në Shqipëri të flas me zë po aq të qartë kundër ideve të tilla, që jo vetëm që shkojnë kundër interesit të Republikës së Kosovës, kundër sakrificës shumë vjeçare të popullit të Kosovës për të jetuar në një shtet sovran e të pavarur, por edhe kundër investimit ndërkombëtar që Kosova të jetë shtet i suksesshëm në kufijtë e saj aktual si shtet sovran”, tha Osmani gjatë konferencës për medie.

Pas takimit me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Basha vazhdoi në takim me liderin e Lëvizjes Vetëvendsoje, Albin Kurti gjatë takimit të të cilëve nuk pati prononcim për medie, por Basha në një postim në Facebook, njoftoi se takimi me Kurtin kishte zgjatur disa orë.

Basha njoftoi se biseda me Kurtin ishte kryesisht për situatën ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuara nga pandemia, si dhe siç tha ai rëndësinë e hapave që duhet të merren për të krijuar mundësi që të rinjtë të punojnë e jetojnë në Kosovë e Shqipëri.

“Gjatë qëndrimit në Kosovë, ndava disa orë të këndshme me Kryetarin e VV Albin Kurti, ku diskutuam për të gjitha zhvillimet e rëndësishme ekonomike, politike dhe rajonale. U ndalëm gjerësisht në bisedën tonë tek situata ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Është shumë e rëndësishme që të koordinojmë përpjekjet dhe të ndërmarrim nisma të përbashkëta, për sa i përket përballjes në aspektin shëndetësor të COVID-19, por edhe për situatën ekonomike, e cila ka sjellë probleme të shumta. Me fokus të veçantë nënvizuam rëndësinë e hapave që duhen ndërmarrë për të ndalur largimin e dhimbshëm të të rinjve, e për t’u krijuar atyre mundësi të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri e Kosovë”, shkroi ndër të tjera Basha.

Tutje, kreu i PD-së vazhdoi takimin me liderin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ku Basha edhe njëherë rikonfirmoi se politikanët në Kosovë do të kenë mbështetjen e tij për cilindo vendim të marrë.

“Rikonfirmoj mbështetjen time dhe të Partisë Demokratike për të qëndruar plotësisht në dispoziopn dhe mbështetje të vendimeve të institucioneve dhe forcave politike të Kosovës, në përballje me sfidat aktuale, të cilat jam i sigurt se mbështetur me përvojën e akumuluar ndër vite do të dinë t’i përdorin me mençuri e maturi dhe vendosmëri. Në këtë do të kenë sot e nesër, përkrahjen time dhe gjithë autoritetit shtetëror në Shqipëri”, tha Basha.

Ndërsa, pas këtij takimi Limaj tha se kanë diskutuar me Bashën për gjendjen në Kosovë, ku theksoi se duhet që vendi të ketë një unitet të faktorit politik dhe të lihen anash politikat ditore ku është fjala për interesin e vendit.

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha ka takuar edhe strukturat drejtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku tha se spektri politik në Kosovë, në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, synon njohjen reciproke në mes dy vendeve si një investim në të ardhmen evropiane dhe euroatlantike.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu në një konferencë të përbashkët për medie, ka thënë se ndër të tjerash në këtë takim temë diskutimi ka qenë pozicionimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Kryetari i PD-së Basha falënderoi Veliun për bashkëpunimin dhe i uroi shërim të shpejt liderit të LDK-së, Isa Mustafa.

Basha takoi edhe kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn, dhe u prit po ashtu edhe nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, por gjatë këtyre takimeve, e as pas tyre ata nuk u prononcuan për medie.