SHPËRNDAJE

“Fushata për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës duhet të ndalet – taksa duhet të hiqet”.

Ky ka qenë mesazhi kryesor që ka dhënë i Dërguari Special i presidentit të SHBA-së për negociatat Kosovë-Serbi, Richard Grenell, pas takimit të tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd.

Sipas mediave serbe, gjatë një konference të përbashkët me presidentin serb, Grenell ka thënë se të njëjtin mesazh e ka përcjellë edhe në takimet që ka pasur me të gjithë liderët dhe komunitetin e biznesit në Prishtinë.

Ai gjithashtu theksoi se gjithçka që dëshironte ishte që t’i afronte të dy palët dhe të përqendrohej në të ardhmen, ekonominë, si dhe tejkalimin e konflikteve.

Ndërsa duke folur për afatet e mundshme të arritjes së një marrëveshje, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai ka thënë: “Kam pasur kancer, nuk e di se çfarë do të ndodhë javën ose muajin tjetër…”, tha Grenell.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Vuçiq ka thënë se Serbia ka pësuar humbje prej 435 milionë eurosh gjatë një viti për shkak të taksës së vendosur nga autoritetet e Kosovës.

Vuçiq tha në konferencën për shtyp se i është “shumë mirënjohës Grenellit për kuptimin e nevojave të Serbisë dhe qytetarëve të saj”.