SHPËRNDAJE

Kërkesa e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, një ditë më parë, ndaj liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të propozojë kandidatin e ri për kryeministër të vendit, si dhe përgjigja e këtij të fundit se do të dërgojë një përgjigje “në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë të koronavirusit”, janë paralajmërime të mundshme që gjithçka do të përfundojë edhe një herë në Gjykatën Kushtetuese për një aktgjykim të ri, deri në formimin e Qeverisë së re të Kosovës, vlerësojnë njohës të çështjeve ligjore dhe politike në Prishtinë.Deri më tash, ende nuk dihet nëse Vetëvendosje do të propozojë kandidatin e ri.

Presidenti e kryeministri “në betejë” ftesash e përgjigjesh

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje që të marrë një deklaratë nga zyrtarë të Vetëvendosje lidhur me këtë çështje, por ata nuk janë përgjigjur.Pas letrës te Thaçit, në orët e vota, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se partia e tij do t’i përgjigjet presidentit Thaçi në “një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”.

Kurti në vazhdimësi ka deklaruar se me presidentin Thaçi nuk kanë pajtim për krijimin e një qeverie të re, por ka kërkuar caktimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pas kalimit të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Palët mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese

Florent Spahija, ekspert ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pasi presidenti ka kërkuar emrin e mandatarit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje kjo e fundit ka të drejtë të shfrytëzojë kohë për konsultim apo bërjen e një koalicioni të ri për të dërguar një emër të një mandatari të ri për qeverinë.Por, siç thekson Spahija, në Kushtetutën e Kosovës nuk parashihet një afat i caktuar se kur duhet të dorëzohet emri i mandatarit për kryeministër të ri.“Po mund të jetë një krizë pasi Vetëvendosje nuk ka një afat apo limit kohor që mund ta dërgojë një emër te presidenti, pra nuk i limitohet me Kushtetutë. Normalisht që presidenti mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të pyes se cili do të ishte afati optimal që subjekti politik t’i kthejë përgjigje presidentit apo të ja dërgojë emrin presidentit”.“Kjo mund të jetë ajo që mund të ndodhë nëse VV nuk dorëzon emër për një periudhë të arsyeshme kohore , përndryshe nëse VV dorëzon emër i kanë edhe 15 ditë të tjera që të shkojnë para kuvendit me mandatarin dhe me kabinetin qeveritar që duhet të votohet në Kuvend”, ka thënë Spahija.Edhe analisti i çështjeve politike Albert Krasniqi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ka shprehur mendimin se ekziston një paqartësi kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sipas tij, nuk ka afat të paraparë se për sa kohë duhet që partia e parë të kthejë një përgjigje, pra nëse refuzon apo nëse dëshiron të procedojë me zgjedhjen e kryeministrit të ri.Megjithatë, siç thotë Krasniqi, duhet të kihet parasysh që Kushtetuta nuk duhet të ngarkohet me afate për secilin veprim që duhet të ndërmerret, pasi disa veprime janë të nënkuptueshme.“Unë në atë se çfarë kam parë në dokumentet përgatitore kushtetuese, të cilat janë në arkivin e Kosovës, në draftet fillestare, është paraparë një afat prej dhjetë ditësh, ku presidenti duhet të emërojë një kandidat dhe ky afat prej dhjetë ditësh duhet të përmbyllet, pra edhe kërkesa e presidentit, por edhe përgjigja e partisë së parë. Ky dhjetë ditësh është një afat i arsyeshëm brenda të cilit Vetëvendosje të kthejë një përgjigje”, thotë Krasniqi.Krasniqi shton që nëse Vetëvendosje nuk kthen përgjigje, atëherë, sipas tij, ka shumë mundësi që presidenti t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojë një interpretim nëse mosdhënia e përgjigjes nënkupton refuzim për të marrë mandatin.“Po ashtu edhe nëse presidenti vepron pas pasur përgjigje nga Vetëvendosje, do të ketë prapë një rast në Gjykatën Kushtetuese, të cilës do t’i drejtohet Vetëvendosje. E shoh se sido që do të veprohet në këtë situatë, do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese”, thotë Krasniqi.Pas votimit të mocionit të mosbesimit më 25 mars, nga ana e 82 deputetëve të kuvendit, Kosova po qeveriset nga një qeveri në detyrë.Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti ishte iniciuar nga partia partnere e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare.Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga udhëheqësit e Kosovës që të veprojnë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës./REL