SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka mbrojtur dje ashpërsimin e politikave me Serbinë në një takim të veçantë me ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefen e Zyrës së BE-së, duke thënë se qeveria e Kosovës është përkushtuar në ruajtjen e qetësisë publike dhe do të ruajë masën e taksimit 100% për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina deri në realizimin e objektivave të saj. Haradinaj i ka quajtur të pavërteta dhe “propagandë” deklaratat serbe për “krizë humanitare” në Veri të Kosovës.

“Në takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefen e Zyrës së BE, diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe i sigurova se situata politike dhe e sigurisë në vend është e qetë. Qeveria vazhdon axhendën shtetërore duke garantuar funksionimin e ligjit e rendit, si dhe është e përkushtuar në ruajtjen e qetësisë publike për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Deklaratat për të ashtuquajturën krizë humanitare në Veri të vendit janë propaganda, të pavërteta dhe të papranueshme për realitetin në vend. Qytetarëve të vendit, pa dallim përkatësie etnike, nuk do ju mungojë asnjë produkt bazë ushqimor e mjekësor”, tha Haradinaj në deklaratën për takimin.