SHPËRNDAJE

Njëri lider thotë se nëse ndodh shkëmbimi ose korrigjimi i kufirit Kosovë-Serbi do të ketë luftë, ndërsa tjetri thotë se kjo marrëveshje do të ndihmonte Kosovën drejt anëtarësimit në OKB dhe BE. Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, temën e shkëmbimit të territoreve nuk e kanë folur asnjëherë seriozisht. Por, Haradinaj megjithatë zbulon se Thaçi i ka thënë se kur po flet për Preshevën vetëm po taktizon përballë Beogradit.
“…e ka prezantu si një debat taktik politik, si kundërpërgjigje ndaj retorikës që vjen nga Beogradi”, ka thënë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj për takimet me Presidentin Hashim Thaçi, ku kanë përmendur çështjen e shkëmbimit të territoreve.

Haradinaj ka thënë se Thaçi nuk e ka seriozisht. Derisa, presidenti Thaçi temën e shkëmbimit të territoreve e ka përmendur si temë serioze në konferencat e shumta për media, në takime me përfaqësues të Bashkimit Evropian, por edhe në konferencën e përbashkët me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u mbajt në Alpbach të Austrisë, shkruan Gazeta Express.

“E kam hap dy herë këtë. Nuk e ka trajtu si temë të këtillë çfarë njihet në opinion, por e ka prezantu si një debat taktik politik, si kundërpërgjigje të retorikës që vjen nga Beogradi dhe pretendimeve të tyre, qofshin ato territoriale apo pretendime të tjera në Kosovë”, ka thënë mbrëmë kryeministri Haradinaj në emisionin “Opinion”, te Blendi Fevziu.

Ai, gjithashtu, tha se nga të gjitha informatat që i ka mbledhur, e ka të vështirë të besojë se presidenti Thaçi e ka trajtuar këtë temë seriozisht, “…ndoshta ka mujt me qenë një lloj taktike, taktizim, një debat publik taktik, por nuk e shoh si projekt serioz”.

Haradinaj madje, bashkimin e Preshevës me Kosovën e ka quajtur përrallë pasi Serbia, sipas tij, nuk e jep atë territor pa luftë.

“I kam njoft nga afër gjithë ata djem të Preshevës që kanë luftu të UCPMB’së i kam shokë, ata jetojnë në Kosovë, s’guxojnë me u kthy andej, Serbia s’ju ka lënë një lapidar, janë përralla ato që ti po e merr Preshevën, përrallë me mbret. Po pate fuqi, tyta të zjarrit, po pate njerëz, po pate vendosmëri, vendimmarrje, po pate aleatë, po nuk hyhet në shkëmbime si jemi ne sot…”

E kur fillimisht nisi të përmendet kjo ide nga ana e Presidentit Thaçi, Haradinaj pat folur bindshëm, duke thënë se ndërrimi, shkëmbimi, korrigjimi i kufijve çojnë në luftë dhe destabilizim në rajon.

Për këtë deklaratë të Haradinajt, pati reaguar edhe Thaçi duke thënë se lufta është kryer në ’99-n dhe “… këta që po kërkojnë luftë, po nxisin trazira”.