SHPËRNDAJE

Ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, e ka vlerësuar si pa efekt dhe kundër kushtetuese, rezolutën për bashkim me Kosovën, të cilën liderët e Luginës së Preshevës e kanë nënshkruar dhe po kërkojnë që të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Liderët e Luginës kanë kërkuar që të vihet në rend dite në Kuvendin e Kosovës në afat sa më të shkurt dhe të votohet draft-rezoluta për bashkim me Kosovën duke u bazuar në referendumin e mbajtur në vitin 1992.

Enver Hasani, tha për KALLXO.com se  miratimi i çdo rezolute ose çështje që ka ndalesë në Kushtetutë siç është çështja e territorit është kundër kushtetuese.

“Miratimi i çdo rezolute për çështjet që nuk janë pjesë e Kushtetutës tonë përkatësisht që kanë ndalesë në Kushtetutën tonë siç janë çështja e territorit, çdo rezolutë, çdo vendim i Kuvendit është kundër kushtetues”, tha Hasani.

Sipas Hasanit, Kuvendi nuk do të duhet ta liston në rend dite fare këtë rezolutë.

“Kuvendi nuk ka të drejtë fare me nxjerrë në rend dite çështjet e bashkimit ose ndryshimeve territoriale që janë jashtë asaj që është e përcaktuar në Kushtetutë përkatësisht për kufijtë që i ka pas Kosova sipas Planit të Ahtisarit ose sipas Kushtetutës së vitit 1974”, theksoi Hasani.

Hasani ka sqaruar se ajo rezolutë nuk do të kishte kuptim dhe nuk do të duhej të shkoj në Kuvend pasi ky është proces politik.

“Nëse shkon, Kuvendi e shkel Kushtetutën. Ajo rezolutë nuk ka efekt sepse është kundër kushtetuese”, tha Hasani.

Më 10 shtator, liderët e Luginës së Preshevës, në një konferencë të përbashkët me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kanë bërë kërkesën për rezolutë.

Shqiprim Arifi, e ka lexuar draftin e rezolutës e cila iu drejtohet, krerëve të shtetit, liderëve dhe grupeve parlamentare.

“Ne liderët e shqiptarëve të Preshevës Medvegjes e Bujanocit ju drejtohemi me kërkesën që në një periudhë sa më të shkurtë kohore të miratoni një rezolutë në Kuvendin e Kosovës përmes të cilës do ta përkrahni vullnetin tonë politik të shprehur në referendumin e 1, 2 marsit 1992, për bashkimin e Preshevës, Bujanocit e Medvegjes me Kosovën. Këtë e kemi nënshkruar gjithë liderët tanë të Preshevës dhe shpresojmë që të procedohet në Parlamentin e Kosovës”, ka lexuar Arifi.