SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh njëri nga figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është propozuar si dëshmitar në gjykimin e rastit të njohur si “Veteranët”.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së.

Propozimin që Thaçi të dëgjohet në këtë proces gjyqësor, e ka dhënë mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Shurdhaj, avokati Skënder Musa.

“Propozoj që si dëshmitar të ftohet drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të UÇK-së, Hashim Thaçi, komandantë të 7 zonave të UÇK-së, komandantët e brigadave, komandantët e batalioneve dhe komandantët e togës. Emrat do ja u sjellim me shkrim. Arsye se pse i propozojmë është se emrat e veteranëve janë dhënë nga komandantët e zonave, komanda tate e brigadave, togave, batalioneve. Edhe pse këtu kemi të akuzuar disa komandat të zonave, ne me shkrim do të paraqesim qe zëvendësit e tyre te dëgjohen”, ka thënë ai.

Avokati Musa, ka treguar edhe arsyet se pse e ka propozuar edhe Thaçin si dëshmitar në këtë proces gjyqësor.

“Arsye se pse kam propozuar që si dëshmitari të dëgjohet drejtori i Drejtorisë Politike të UCK-së, qëndron në faktin se ai ka qenë personi qe ka negociuar transformimin e UÇK-së në TMK, dhe ne mendojmë që ka pas lista të ushtarëve të UÇK-së të cilët kanë mbetur në struktura të TMK dhe pjesa e tjetër që ka kaluar në civil. Arsye e dytë, është se ai ka qenë personi që të futen në listat e veteranëve te UÇK-së, edhe pjesëtarët e Ministrisë së Mbrojtjes”, ka deklaruar ai.

Seanca është duke vazhduar dhe më pas pritet të vendoset lidhur me këto propozime dhe të tjera që mund të dalin gjatë kësaj seance, raporton Betimipërdrejtësi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.