SHPËRNDAJE

Ndërtuesi i urave dhe bashkuesi i njerëzve

“ Bënë vepra të mira, që edhe kur mos të jesh në këtë botë të të përkujtojnë të tjerët”.

Kjo mbase është një fjali që e rastisim shpesh, veçmas nga të moshuarit të cilët nuk ngurrojnë ta përsërisin në të shumtën e rasteve.

Dhe, padyshim kjo thënie është  më se e vërtetë dhe shumë herë e parafrazuar për ata të cilët nuk janë më në mesin tonë, por që kanë lënë gjurmë me veprat e tyre për të mirën e të tjerëve.

Një shembull i tillë është edhe ai i Haxhi Qahil ( Ahmet ) Isenit nga Tërnoci.
Dita e 31-të e tetorit të vititit të kaluar do të ishte e fundit për Haxhiun në këtë botë, por asesi fundi i veprave të mira të cilat ai i la pas veti.

Me plot gojë ai do të njihet si njeriu i urave, njeriu i bashkimit të njerëzve.

Ishte viti 1991.

Një vit i vështirë për të gjithë shqiptarët, por jo vetëm për ta, në ish shtetin e përbashkët të quajtur Jugosllavi.

Pushteti i atëhershëm as që bëhej fjalë të investonte për komunën e Bujanocit, e hiq më pak për Tërnocin i cili ishte një halë në sy për regjimin.

Haxhi Qahilit i’u ishte bërë pikë në zemër se lumi po ndante në dysh fshatin, mu tek Mulliri, dhe se lidhja midis lagjeve: të Strukarëve dhe Shtekajve ishte e pamundur.

Duke u thelluar në meditime, Haxhiu grumbullon forcat dhe nis një projekt kapital të kohës.

Me vet-iniciativë ai ndërton urën e cila do të jetë arterie lidhëse midis dy brigjeve të lumit, një lidhje jo vetëm midis dy lagjeve por edhe vet fshatit.

E ashtuquajtura “ Mahalla e Rekës “ merr pamje tjetër.

Njerëzit dhe mallërat tashmë po lëviznin pa asnjë pengesë, kurse për vite me radhë kjo lagje u bë epiqendër e zhvillimeve sportive.

Nga viti në vit zhvillohej Turneu Tradicional në futboll të vogël i cili grumbullonte në një vend sportëdashësit nga mbarë Lugina.

Por, Haxhi Qahil Iseni nuk mbeti me kaq.

Në 2001 ai ishte bashkë organizator i ndërtimit të “ Urës së Bashkimit “, urë kjo që lidhte Tërnocin me Breznicën dhe pjesën e Kosovës.

Madhështia e kësaj ngjarjeje qëndronte në faktin se ajo u përurua nga UÇPMB-ja.
Për jetën dhe veprën e Haxhi Qahil (Ahmet)Isenit sot të gjithë kanë vetëm fjalë miradie.

Lagja ku ai jetojë dhe veprojë sot ka një pamje mbresëlënëse.

Urës së ndërtuar nga ana e tij bukurinë i’a shtonë parku i fshatit dhe ujëvara e cila këtë pjesë e bënë qetësim për shpirtin e zbukurim për sytë.

Bashkë me këto, edhe vepra e Haxhi Qahil Isenit do të shëndërit në zemrat e atyre që i’a donë të mirën Tërnocit.

Haxhi Qahil ( Ahmet) Iseni ka lindur më datë 10.01.1931 dhe vdiq më 31.10. 2019./presheva.com/