SHPËRNDAJE

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur për çështjen më të përfolur të javëve të fundit në vend, atë të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë.

Ai ka komentuar mbështjen që nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, i ka dhënë presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për “korrigjim kufijsh”.
Hoti ka thënë në emisionin “Pressing”, me Leonard Kerqukin, në televizionin T7, se deklaratat e nënkryetarit të partisë, Haziri, për ndryshim kufijsh, përbëjnë vetëm qëndrimin e tij personal.
“Haziri në disa prononcime publike e ka shprehur si opinion të tij, dhe ka deklaruar publikisht se e respekton qëndrimin e LDK’së”, është shprehur Hoti.
“Ne jemi për ruajtjen e shtetësisë, në kufijtë që është, dhe për konsolidimin e shtetësisë në arenën ndërkombëtare”, ka theksuar ai.
I pyetur se si e sheh daljen e Hazirit me qëndrim të ndryshëm nga partia, Hoti është përgjigjur: “Do të dëshironin që jo vetëm brenda LDK’së, por edhe në krejt shtetin të ketë unitet”.
“Ka zëra të ndryshëm që nuk janë krejt në dakordancë”, ka theksuar ai, duke shtuar se ata në fund të fundit e respektojnë qëndrimin zyrtar të LDK’së.