SHPËRNDAJE

Kënaqësi kur sheh transformimin pozitiv të komunës së Preshevës në afat të shkurtër kohorë. Kryetari i komunës, Shqiprim Arifi me ekipin e tijë me dinamizëm të përshpejtuar po sjellin ndryshime.

E pëlqej këtë stil pune, këtë qasje të re që sfidon problemet dhe synon të krijojë një sinergji apo forcë më të madhe veprimi me të gjithë aktorët, këto komente i bëri sot ambasadori i Republikës së Shqipërisë i akredituar në Beograd, Ilir Boçka. Diplomati shqiptarë ka vizituar sot komunën e Preshevës ku pati takime me kryetarin dhe ndihmës kryetarin e komunës.

Në takimin e sotëm u diskutua edhe për mundësitë më të mira bashkëpunimi në sferën e ekonomisë. Ambasadori Boçka në deklaratën për portalin preshevacom ka thënë se përshëndet idetë dhe projektet që kryetari Shqiprim Arifi i ka në prioritet.

Mungesa e teksteve shkollore në Luginë për nxënësit shqiptarë është çështje me të cilën po merren prej kohësh, përkundër asaj që ka një lloj përparimi në mes të ministrive të arsimit të Serbisë dhe Shqipërisë ecjet përsëri janë shumë të ngadalta ka thënë ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Ilir Boçka.

Akoma nuk mund të themi se vitin e ri shkollorë 2019-2020 nxënësit e Luginës do ta fillojnë me tekste mësimore të mirëfillta, është dëshpëruese ka thënë Boçka. Stafi diplomatik i akredituar në Beograd do të vazhdojë me gadishmërinë e sajë që edhe më tutje të asistojë në realizimin e kërkesave të luginasve për tekstet shkollore.

Në konferencën për media kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi ka falemderuar ambasadorin e Republikës së Shqipërisë për vizitën dhe përkrahjen që i bën shqiptarëve të këtushëm.

Arifi ka deklaruar se diplomati Boçka me përvojë shumë vjeçare diplomatike na ndihmon në zgjidhjen e problemeve të trashëguara me vite në vendin tonë./presheva.com/