SHPËRNDAJE

Mosanëtarësimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë – INTERPOL, nuk është fitore e diplomacisë serbe, por një dështim i bashkësisë ndërkombëtare, e cila me këto veprime edhe më shumë ka për t’u zhytur në botën e krimit të organizuar.
Ata që rastisën të shohin rezultatet e votimit të disa shteteve me probleme siç është Serbia, Irani, Libani, Sudani, Siria, Tunizia, Samolia, Indonezia etj. dhe gëzimi histerik i delegacionit serb në mospërfshirjen e Kosovës në Interpol, duke përfshirë shkrimet e gazetave me plot provokime të Beogradit, jep për të kuptuar se sa përparimi i Kosova është i tmerrshëm për ata vende, që janë kundër saj.
Kosova dhe përfaqësuesit e saj legjitimë, nuk duhet ta marrin rastin Interpol, si një humbje të madhe, por si një mësim të mirë se si duhet të punojnë më shumë për t’i ecur proceset demokratike në vend.
Gjithashtu, skena politike kosovare, nuk duhet të merret me akuza të ndërsjella se kush e solli humbjen e anëtarësimit në Interpol, e as të merren me paratë milionëshe të lobimit, por të jenë të bashkuar në një front kundër pengesave që vijnë nga Serbia dhe aleatët e saj.
Kosova dhe liderët e saj institucionalë, duhet të vazhdojnë betejën me Brukselin dhe beteja të tjera për formimin e ushtrisë, forcën mbrojtëse, duke bashkëpunuar me devotshmëri me Amerikën dhe aleatët e saj, në rrugën e zhvillimit, afirmimit dhe promovimit të vlerave shtetërore.
Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare përkrah Serbisë e dëshiron Ballkanin të jetë një vatër e krizës, një burim i pashtershëm i botës së krimit, kontrabandës së armëve, drogës, qenieve njerëzore etj, në mënyrë që ata të përfitojnë në luftën kinse të këtyre dukurive, shumë të rrezikshëm për shoqëritë shumëkombëshe.
Meqenëse jemi në prag të festave nacionale dhe vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, populli i Kosovës dhe Shqipërisë, me të gjithë bashkëkombësit e tyre në Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe diasporë, duhet të angazhohen bashkërisht për t’i kremtuar me dinjitet e devotshmëri këto data historike, me të cilat krenohet çdo shqiptar në botë.