SHPËRNDAJE

Nadia

Mijëra vetë e kanë bërë “share” imazhin e fëmijës nga Siria me duar lart. Por, cila është historia pas kësaj? Fotografia tërhoqi shumë vëmendje për shkak se, fëmija duket i trembur nga aparati fotografik duke e marrë atë për armë.

Fotoja nisi të qarkullojë në rrjetet sociale të martën e kaluar, kur u postua nga Nadia Abu Shaban në “Twitter”,

një fotoreporte me bazë në Gaza. Postimi origjinal është riposrtuar më shumë se 14 mijë herë. Kishte nga ata që mendonin se fotoja ishte mashtrim. Shumë pyetën kush e ka realizuar foton. Autori është fotoreporteri turk, Osman Sagirli.

Duke folur për BBC, Sagirli, i cili aktualisht punon në Tanzani, konfirmon origjinën e fotos. Fëmija në foto është një vajzë 4 vjeç e quajtur Hudea dhe imazhi është shkrepur në Atmeh, një kamp refugjatësh në Siri në dhjetor të vitit të kaluar.

“Po përdorja lente për aparatin fotografi dhe ajo mendoi se ishte armë”, thotë Sagirli. “Pashë që ajo u tremb pasi shkrepa aparatin, në momentin e blicit ajo ngriti duart. Normalisht fëmijët largohen, fshehin fytyrën apo buzëqeshin kur shohin një aparat fotografik.”

Fotoreporteri turk shprehet se, në të tillë situatë ti e kupton se çfarë kanë vuajtur ata njerëz jo nëpërmjet të rriturve por përmes fëmijëve. “Janë fëmijët ata që reflektojnë ndjenjat përmes pafajësisë së tyre.”

Fotoja u publikua për herë të parë në gazetën “turkiyenewspaper”, në janar të këtij viti, ku Sagirli ka punuar për 25 vite duke mbuluar luftërat dhe katastrofat natyrore jashtë vendit. Imazhi tërhoqi mjaft vëmendje në Turqi në atë kohë, por u deshën të kalonin disa muaj që e njëjta gjë të ndodhte edhe në mbarë botën anglishtfolëse.