SHPËRNDAJE

Në një intervistë për BBC me rastin e 20 vjetorit të bombardimeve të ish-Jugosllavisë, zyrtari shumëvjeçar i NATO-s ka thënë se intervenimi në vitin 1999 ka qenë i arsyeshëm.

Jamie Shea, zëdhënësi i Aleancës së NATO-s gjatë bombardimeve të Republikës Federative të Jugosllavisë, i cili tani është në pension, ka deklaruar se i vjen keq për dëme kolaterale, mirëpo pohon se bombardimet kanë qenë të arsyeshme.

Ai ka thënë se pas vitit 1999 nuk ka shkuar më në Beograd, edhe pse para bombardimeve ka pasur miq në Serbi.

“Presidenti amerikan Harry Truman ka thënë – nëse dëshironi të keni mik në Uashington, blini një qen. Ndoshta kjo vlen për mua dhe Beogradin – ndoshta mënyra e vetme të kem ndonjë mik në Beograd është ta blej në qen”, ka thënë Shea.

Siç pretendon BBC, Shea është i urryer në Beograd sepse i është atribuuar autorësia për termin “dëme kolaterale” për viktimat civile të bombave të NATO-s, ndërsa në Prishtinë, ku shkon kohë pas kohe, e presin si hero.

“Ndoshta unë do të doja që ky raport të jetë më i balancuar, por ju nuk mund ta kontrolloni, vetëm mund të punoni punën e juaj në mënyrën më të mirë”, ka thënë Shea.

Ai e ka komentuar edhe përdorimin e termit “dëme kolaterale”, për pësimin e civilëve.

“Ky konstruktim vërtet e pasqyron një distancë prej realitetit për njerëzit të cilët kanë vuajtur. Ndoshta ishte dashur të jemi më të kujdesshëm në përdorimin e terminologjisë ushtarake, e cila keqkuptohet në opinionin e gjerë”, ka thënë Shea.

Megjithatë ai pretendon se intervenimi i NATO-s në Jugosllavi ka qenë i pashmangshëm dhe i arsyeshëm.

“Në një situatë të spastrimit etnik, NATO ka bërë punën e duhur që në Kosovë të mos përsëritet skenari i Bosnjës”. Ai ka thënë se për arsyet e përgjithshme  të fushatës, edhe pas 20 vjetëve është njëjtë i bindur për nevojën e intervenimit siç ishte i bindur edhe atëherë.