SHPËRNDAJE

Ish-pjesëtarë të Forcave të Armatosura, ish-komando, të cilët kanë shërbyer edhe në misione ndërkombëtare jashtë vendit, janë përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, veçanërisht në muajt e fundit.

Dy ish-komando u arrestuan për grabitjen e 3.2 milionë eurove në rrugën e Rinasit, ndërsa një tjetër në Këlcyrë vrau fqinjin e tij. Këto ngjarje ngritën shumë pikëpyetje për ata që kthehen nga misionet ushtarake. Për Ministrinë e Mbrojtjes, ato janë raste të izoluara.

“Nuk mendoj se është një kambanë alarmi”, thotë Petro Koçi, zëvendësministër i Mbrojtjes.

Top Channel bisedoi me dy nga komandot shqiptarë, të cilët kanë shërbyer në disa misione ndërkombëtare. Enkelejda sapo është kthyer nga Afganistani, ndërsa Astriti ka qenë pjesë e gjashtë misioneve.

“Kam humbur kolegë me të cilët punoja përditë”, tregon Enkelejda.

“Ishte emocionuese. Ndërsa, përsa i përket frikës, vetëm budallai nuk ka frikë”, thotë Astriti.